Qindra Tolstoy’ët e sotëm
Sot në dhjetëra shtete botërore jetojnë afro 200 pasardhës së njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj botëror, Lev Nikolayevich Tolstoy. Sipas stër-stërnipit të shkrimtarit, Vladimir Tolstoy, pasardhës të shkrimtarit zbulohen në çdo dy vite, gjatë kohës së shoqërimit të përbashkët.
Agjencia Informative Fetare (VIA) thekson se në Rusi jetojnë vetëm disa dhjetëra pasardhës të Tolstoy, përderisa numri më i madh i tyre jeton në Suedi – gati njëqind. Të tjerët jetojnë në Itali, Uruguai, Brazil, Amerikë dhe Francë. Tutje, thuhet se “nuk janë të gjithë ortodoksë, por ka edhe katolikë e protestantë”. Por, me sa Duket, në mesin e pasardhësve të tij nuk ka edhe myslimanë, edhe pse vetë Tolstoy, i cili islamin e ka respektuar shumë, sigurisht që nuk do të kishte asgjë kundër. Kështu, në një letër të Tolstoy, mes tjerash thuhet se: “Këta rreshta po ua shkruaj si një i krishterë, edhe pse përkundër asaj që për vitet të tëra jam mësuar me predikime të krishtera, më duhet t’ju them se feja islame dhe predikimet e Muhamedit, me të gjitha karakteristikat e tyre dhe me atë që vërehet që në shikim të parë, është shumë më e përkryer dhe më e vlefshme se krishterimi.
Të paktën në shikim të parë, karakteristikat e fesë islame janë të pakrahasueshme me krishterimin. Për shembull, po t’i jepej mundësia një individi që të zgjedh mes islamit dhe krishterimit, dhe që të adhurojë Krijuesin e tij, ai sigurisht që do ta gjente të pamundur përcjelljen e disa Zotëve njëkohësisht, sepse një gjë e tillë është në kundërshtim me besimin monoteist. Para të gjithave ekziston feja islame, në të cilën adhurohet vetëm një Krijues, dhe kjo është përfundimtare! Kjo është ajo që islamin e bënë superior ndaj krishterimit, prandaj secili individ racional dhe i mençur në përzgjedhjen e tij sigurisht se duhet të zgjedhë islamin, e jo ndonjë fe tjetër”.
Dihet se afro dhjetë vjet para vdekjes Tolstoy ishte ekskomunikuar nga Kisha Ortodokse. Në fakt, më 1901 Kisha Ortodokse Ruse publikoi ekskomunikimin e tij, ndonëse është interesant se as mbi njëqind vjet pas vdekjes së Tolstoy ky qëndrim i kishës nuk ka ndryshuar. Kisha Ortodokse Ruse në këtë kuptim është shumë më rigide se Vatikani, i cili viteve të fundit ka zbutur qëndrimin e tij ndaj disa shkrimtarëve që deri para pak kohësh konsideroheshin kundërshtar të religjionit – më i njohuri në mesin e të cilëve ishte Oscar Wilde.
Tolstoy u ekskomunikua për shkak se fliste dhe shkruante haptas për disa prej besimeve dhe ritualeve themelore krishtere, të cilat i konsideronte të padrejta dhe në kundërshtim me fenë e vërtetë.
Ndryshe, pasardhësi i drejtpërdrejtë i Tolstoy, Vladimir Tolstoy, që është njëri nga këshilltarët e presidentit rus Putin, dhe drejtor i Muzeut Memorial Jasna Poljana (që ndodhet afro 200 kilometra nga Moska) - ku shkrimtari i famshëm kaloi pjesën më të madhe të jetës – deri para pak kohësh i bënte thirrje Kishë Ortodokse Ruse që të rishqyrtonte rrethanat e përjashtimit të paraardhësit të tij nga kisha, në vitin 1901. Ky përjashtim, sipas VIA, shkaktoi largimin e një pjese të madhe të intelektualëve rusë nga kisha, dhe kjo distancë ekziston edhe sot.
Sipas VIA, para dy viteve, njëqindvjetori i vdekjes së Tolstoy në Rusi u shënua në mënyrë tejet modeste. Ishte krejtësisht i pavend për një shkrimtar të përmasave të tij.