E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm e arta kryen punë

Brazili synon të bëjë atë që nuk e ka bërë kurrë më parë - të fitojë medaljen e artë olimpike në futboll. Skuadra e selektorit Mano Menezes është në mesin e favoriteve në Londra 2012 dhe ka të qartë prioritetin. I udhëhequr nga yjet si Neymar, Pato, Silva, Marcelo e Hulk, Brazili do të niset në mision për titull, platformë ideale para Kampionatit Botëror 2014.

Më tepër se kurrë do të jetë gjithçka ose asgjë për ekipin e futbollit të Brazilit në Lojërat Olimpike Verore ‘Londra 2012’. Brazili gjithmonë ka qenë nën presion për të fituar medaljen e artë, titulli i vetëm i rëndësishëm që nuk e ka fituar ende, por në Londër do të ketë në dispozicion edhe më tepër për pesë herë kampionin e botës.

Brazili është njëra prej atyre pak skuadrave që ka ftuar futbollistët më të mirë dhe dështimi në Olimpiadë mund t’i kushtojë me punë selektorit Mano Menezes para Kampionatit Botëror 2014, ku do të jetë nikoqir.

Të gjithë do të kenë pritje të mëdha në Brazil, përfshirë tifozët, mediet lokale dhe zyrtarët e futbollit. Federata braziliane tashmë ka theksuar se medalja e artë është i vetmi prioritet i ekipit dhe çfarëdo rezultati dëshpërues do të përcillet me ndryshime në skuadër. Shumica e lojtarëve që përbëjnë ekipin olimpik të futbollit priten të jenë edhe në Kampionatin Botëror 2014, andaj Londra do të shërbejë mundësi ideale që ata të dëshmojnë vlerat e tyre.

“Ne e dimë se vlerësimi final para Kampionatit Botëror do të bëhet vitin e ardhshëm gjatë Kupës së Konfederatave, kur ne do të luajmë me një skuadër që nuk do të ketë kufizime në moshë”, tha Menezes gjatë një konference për shtyp. “Por, është e qartë se duhet të luajmë mirë në Olimpiadë për të përforcuar bindjen e mirë ndaj ekipit”, shtoi ai.

Pak skuadra do të angazhojnë futbollistët e tyre më të mirë në Olimpiadë sepse luhet me lojtarë nën moshën 23 vjeç dhe me vetëm tri përjashtime. Skuadra e Brazilit përfshin emra si Neymar, Lucas, Alexandre Pato, Paulo Henrique Ganso, Oscar dhe Leonadro Damiao.

“Ne kemi grup të fuqishëm, do të marrim futbollistë që sot janë titullarë në disa prej top skuadrave. Shumë futbollistë të rinj do të kenë rastin të luajnë si titullarë. Diçka që nuk ka qenë e mundur më parë, por ky është realiteti i Olimpiadës”, u shpreh Menezes.

Futbollistët mbi moshë të Brazilit në Londër do të jenë mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, mbrojtësi i majtë i Real Madridit, Marcelo dhe sulmuesi i Portos, Hulk. Shumëkush në Brazil lavdëroi ekipin e përzgjedhur nga Menezes për Olimpiadë, por kishte edhe kritikë.

“Nuk pajtohem me futbollistët e ftuar”, tha ish sulmuesi i Brazilit, Romario, tani kongresmen. “Ai nuk është dashur të ftojë futbollistët që janë më të respektuar jashtë vendit. Ka shumë futbollistë të tjerë mbi 23 vjeç që ka mundur t’i ftonte”, u shpreh ai.

Por, Menezes është kundërpërgjigjur: “Gjithmonë do të ketë kritikë, por edhe presion. Ne duhet të mësohemi me këtë. Brazili fitoi medaljen e argjendtë në olimpiadat më 1984 dhe 1988, kurse të bronztën më 1996 dhe 2008, kur Argjentina mori të artën me Lionel Messin, duke mposhtur ekipin e Brazilit që përbëhej nga Ronaldinho.

Brazili do të jetë një prej favoritëve të garës së bashku me Britaninë e Madhe dhe Spanjën. Skuadra e Menezesit do të garojë në Grupin C me Egjiptin, Bjellorusinë dhe Zelandën e Re. Kurse ndeshjen e parë do ta luajë kundër Egjiptit më 26 korrik në stadiumin Millennium në Cardiff.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›