Qokat e fundit
Socialistët janë shprehur se do të zhbëjnë të gjitha vendimet që qeveria Berisha ka marrë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Por, a do ta mbajnë premtimin? Klan ka përzgjedhur disa prej tyre.
Në 2005-ën, teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikonte fitoren e opozitës, Fatos Nano e kalonte kohën duke bërë nderet e fundit mbledhjet e qeverisë. Pa e vrarë mendjen se shumica e vendimeve të tij mund të zhbëheshin pak javë më vonë, pasi Sali Berisha të ulej në karrigen e kryeministrit, Nano miratoi shpejt e shpejt ca nisma që përfshinin jo vetëm ngritjen e dy a tre universiteteve private, por edhe marrëveshje të rëndësishme si ajo e privatizimit të Albtelekom-it. Asokohe, opozitari Berisha deklaroi se me të ardhur në pushtet do ta zhbënte atë marrëveshje të marrë me nxitim nga qeveria Nano, ashtu si edhe marrëveshjen për ndërtimin e trenit elektrik që do të lidhte Tiranën me Durrësin me një kosto prej 95 milion dollarësh nga kompania amerikane General Electric. Ndërsa marrëveshja për trenin u anulua vërtet me justifikimin se ishte tepër e kushtueshme (por na kushtoi edhe gjoba e arbitrazhit ndërkombëtar), ajo për Albtelekomin mbeti në fuqi, edhe pse u tha se u rinegociua. Gjithsesi, Nano arriti të shfrytëzonte ditët e fundit të tij si kryeministër për të kryer edhe qokat e fundit.
Një praktikë që duket se po e ndjek sot, tetë vjet më vonë, pasardhësi i tij Berisha, i cili tashmë i rënë vaftit, ka shitur, privatizuar apo dhënë me koncesion disa pasuri të cilat i kishte ruajtur për në fund. Nga zgjedhjet e 23 qershorit e deri në javën e parë të shtatorit, qeveria Berisha është kujdesur që në çdo mbledhje të saj të miratojë vendime të caktuara që nuk mund të shihen ndryshe përveçse si qoka me përfitime të majme financiare për njerëz të caktuar. Duke e ditur këtë nga eksperienca e kaluar, Partia Socialiste e cila do të marrë pushtetin pas 9 shtatorit, i ka bërë shpesh deklarata publikut se do të rishikojë të gjitha vendimet e qeverisë të marrë në tre muajt e verës me qëllimin për ti anuluar ato, njësoj siç Berisha proklamonte në 2005-ën e largët. Shumë vendime që kanë të bëjnë me privatizime apo koncesione në sektorin e naftës, i shumë sipërfaqeve në bregdet, i objekteve ushtarake, i pyjeve, i kullotave, i lagunave, i qendrave muzeale, dhe së fundi i shtëpisë së ushtrisë, ARMOS-s apo i një guroreje në Krujë, janë vlerësuar si raste të pastra korruptive, të cilat mund të anulohen pas shtatorit.
Se sa do ta mbajë fjalën qeveria e re, kjo nuk dihet ende, por Rama duket i vendosur për të rishikuar vendime të tilla si importi i mbetjeve, dhënien me koncesione të disa prej HEC-eve, ARMO-n dhe Albpetrolin, apo Portin e Durrësit. Jam i detyruar tu bëj thirrje të gjitha subjekteve, që përfshihen në bashkëpunim me këtë qeveri ne detyre qe te mos vazhdojnë bashkëpunimin. Ne do të jemi jashtëzakonisht të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë aktuale pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ka thënë Rama, pa e sqaruar nëse vendimet do të rishikohen për tu anuluar apo për tu rinegociuar nga qeveria e re.
Rasti më i debatuar i qokave në ditët e fundit ka qenë ndërtesa e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë, e cila tashmë është vendosur të jetë selia e re e Partisë Demokratike. Nëse Berisha ka vendosur të dhurojë diçka në fund të mandatit të tij, ka parapëlqyer që për së pari ti japë diçka partisë së tij. Vendimi për SHQUP-in është një nga rastet më flagrante të asaj çfarë ka ndodhur me disa nga pronat publike pas zgjedhjeve. Një rast i cili ka futur në valle edhe Presidentin Bujar Nishani, i cili e ka firmosur vendimin që ia kalon SHQUP-in PD-së, por njëkohësisht opozita aktuale që merr pushtetin javën e ardhshme ka deklaruar se do ta anulojë vendimin. Se sa e mundur është ligjërisht kjo, mbetet për tu parë. Gjithçka do të jetë në duart e ministres së re të Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ndërkaq, sipas ekspertëve, prona e SHQUP-it vlen më shumë se 20 milion dollarë, duke marrë parasysh edhe vendin e lakmuar ku ajo gjendet në Tiranë. Disa nga figurat e ushtrisë e cilësojnë këtë një grabitje të pronës së ushtrisë, e megjithatë qeveria Berisha nuk është tutur, por që pas 20 gushtit godina ka filluar të sistemohet për të pritur drejtuesit e PD-së.
Pas SHQUP-it, një nga vendimet më të bujshme të qeverisë në ikje është importi i mbetjeve. Për këtë çështje, PS-ja është shprehur vazhdimisht kundër e ndoshta do të jetë një nga vendimet e para që do të anulojë. Megjithatë, dy javë më parë, qeveria miratoi dy vendime që autorizojnë importin e mbetjeve të ndryshme, për qëllime riciklimi në vendin tonë. Bëhet fjalë për lejimin e futjes në Shqipëri të 2600 tonë mbetjeve nga dy kompani, ku njëra do ta importojë sasinë nga Greqia: e para, bën fjalë për shoqërinë Plastika – Albania, për importin e mbetjeve të polietilenit (plasmasit) nga Greqia të 600 tonëve në vit, e cila do të futet në territorin tonë në rrugë tokësore dhe detare, ndërsa i dyti, përfshin lejen për shoqërinë V.A.L.E. RECYCLING, për importin e mbetjeve për qëllime riciklimi, të produkteve të bakrit, të aluminit, të çelikut, të gizës, të zinkut, të plumbit, të qelqit, të plastikës, të letrës, të drurit dhe të veshjeve të përdoruara, në sasi prej 2000 tonë në vit. Që kur u miratua ligji (nëntor 2011) Për menaxhimin e integruar të mbetjeve, diskutimet për lejimin e importit të plehrave në vend kanë qenë të shumta, deri në protesta nga Shoqëria Civile dhe ambientalistët. Kjo e fundit, arriti të mblidhte firmat e nevojshme për realizimin e një referendumi, derisa presidenti dekretoi se ai do të mbahet në dhjetor të këtij viti.
Media e ka cilësuar si skandal vendimin e para disa ditëve për dhënien e sipërfaqes prej 19 hektarësh të pyllit të Krujës kompanisë Shpresa-Al, kliente e kontabilistes Shpresa Breçani, e konsideruar si e afërme e familjes Berisha. Kjo sipërfaqe parashikohet të shfrytëzohet si gurore dhe kompania që ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar këtë sipërfaqe është e regjistruar në QKR. Në vendimin e qeverisë thuhet se zona në Krastë-Krujë do të përdoret nga shoqëria Shpresa- Al sh.p.k., për shfrytëzimin me karrierë të gurit gëlqeror dhe për këtë arsye, vendburimi i Picragës që i korespondon sipërfaqes së dhënë kompanisë do të hiqet nga fondi pyjor dhe Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. PS-ja pretendon se ky vendim është një dhuratë e pastër që Berisha u bën të afërmve të tij.
Një sërë vendimesh janë marrë edhe për pasuritë e Albpetrolit, të cilit thuajse nuk i ka mbetur më asgjë për të menaxhuar, pasi pasuritë e saj naftëmbajtëse u kanë kaluar nën zotërim shoqërive private. Me vendimet e fundit, zona e vetme, ndaj së cilës u bazua edhe vlera e privatizimit të kompanisë në vitin 2012, ven
