Kosova dhe Shqipëria të shfrytëzojnë më mirë potencialin e diasporës
Sipas shifrave të BE-së llogaritet se në shtetet e BE-së dhe në Zvicër jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Kosovë. Numri më i madh i shqiptarëve nga Shqipëria është në Itali dhe Greqi, ndërsa i atyre nga Kosova në Gjermani dhe Zvicër. Madje edhe pa Zvicrën mund të thuhet se në shtetet e Bashkimit Evropian jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Republikën e Kosovës.
Nga Augustin Palokaj*
Është fundi i sezonit të pushimeve verore, fillimi i vitit të ri shkollor, kthimi i miliona njerëzve në shtëpitë e tyre, të pushuar nga rutina e përditshme dhe të fokusuar tash se si do ta menaxhojnë buxhetin e shterur familjar deri tek festa e kërshëndellave. Shtetet në të cilat ekonomia varet shumë nga turizmi, si Spanja, Greqia, Kroacia dhe Turqia bëjnë bilancin e sezonit turistik: sa turistë të huaj e kanë vizituar vendin, sa kanë shpenzuar dhe sa kanë përfituar ekonomitë e tyre kësaj radhe.
Kroacia, për shembull, pret që këtë vit të ketë pasur 12 milionë turistë të huaj (këtu nuk llogariten hyrje-daljet në kufi, por fjetjet në hotele dhe akomodime private) dhe nga ta të ketë përfituar 7 miliardë euro. Greqia, e goditur nga kriza e madhe ekonomike ka shënuar këtë vit një rritje të madhe të numrit të turistëve.
Shqipëria dhe Kosova po ashtu po bëhen gradualisht mjaft të varura nga turizmi. Por ky turizëm, me disa përjashtime në rastin e Shqipërisë, nuk është i njëjtë me vendet tjera që përmendëm. Turizmin në Shqipëri dhe në Kosovë e karakterizon ardhja sezonale e atyre që në Kosovë i quajnë gastarbajterë, ndërsa në Shqipëri, edhe sot e kësaj dite, shqiptarët të cilët jetojnë tash në Itali e Greqi i quajnë refugjatë.
Ekonomia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës tash e sa vjet varen shumë nga diaspora. Për këtë janë bërë analiza të shumta dhe pa diasporën këto dy shtete të varfra do të ishin sot në gjendje të një varfërie edhe më të madhe. Llogaritet, sipas shifrave të BE-së, se në shtetet e BE-së dhe në Zvicër, jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Kosovë. Numri më i madh i shqiptarëve nga Shqipëria është në Itali dhe Greqi, ndërsa i atyre nga Kosova në Gjermani dhe Zvicër.
Madje edhe pa Zvicrën mund të thuhet se në shtetet e Bashkimit Evropian jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Republikën e Kosovës. Po të llogariten edhe shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Australi ky numër rritet dukshëm. Me gjithë paragjykimet mëdha që ekzistojnë ende për shqiptarët ata janë pak a shumë mirë të integruar, kryesisht punojnë dhe fitojnë për të mbajtur familjet e tyre dhe kursejnë që së paku një herë në vit të bëjnë një shtegtim në vendlindje apo tashmë në vendlindjen e prindërve të tyre.
Një koleg turk para disa vjetësh më thoshte se po të llogaritej bruto prodhimi për kokë banori i turqve, të cilët jetojnë në Evropën Perëndimore ai do të ishte më i madh se i tërë Turqisë. Është vështirë të bëhen llogaritje të tilla, por edhe në rastin e Kosovës dhe të Shqipërisë mund të thuhet se të ardhurat e diasporës nga këto shtete mund të jenë ndoshta më të mëdha sesa totali i banorëve të cilët jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri.
Një rrogë mesatare në Zvicër është së paku dhjetë herë më e madhe sesa në Kosovë, edhe pse nuk duhet harruar shpenzimet më të mëdha të jetës në këtë shtet të pasur.
Kështu ardhja e diasporës në vendlindje është padyshim një aset i madh për ekonomitë e Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse i pyesni ata se sa shpenzojnë shumë prej tyre do të thonë se shpenzojnë më shumë sesa të kishin shkuar në ndonjë pushim të gjatë në ndonjë destinacion tjetër, në Spanjë apo Turqi.
Kjo prapë është e vërtetë sepse ata qëndrimin në Kosovë e kanë edhe pushim, por edhe vizitë familjes dhe farefisit. Dhe është pikërisht ardhja e tyre kriter për të caktuar edhe ngjarjet e rëndësishme familjare si martesat, fejesat, synetitë, vënien e kulmit shtëpisë dhe shumë tjera. Pos kësaj sa herë që vijnë gjithmonë në farefis do të gjejnë të ketë lindur dikush.
Në të gjitha këto raste duhet ndarë ndonjë dhjetë eurosh, së paku, për dhuratë. Në raste festash duhet rregulluar flokët, larë veturën, blerë këpucë, fustane me basma të vizllueshme dhe ngjyra çfarë nuk mund të gjejnë në Evropë, së paku jo me atë çmim. Shumë prej tyre tash edhe dhëmbët i rregullojnë në Kosovë dhe Shqipëri, sepse u bie shumë më lirë e në Perëndim sigurimet jo gjithmonë i mbulojnë edhe rregullimet kozmetike të dhëmbëve.
Prandaj edhe shpenzojnë më shumë sesa të kishin shkuar diku tjetër. Por edhe për ta ardhja në Kosovë është një lloj kënaqësie, sa për të takuar të afërmit aq nganjëherë edhe për tu treguar se ata në Perëndim janë gjetur mirë dhe kanë arritur një standard të mirë.
Kështu gjatë verës gjallërohen pak ekonomitë familjare të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Restorantet kanë punë më shumë se në cilën do periudhë tjetër të vitit, dentistët, automekanikët, shitësit e bizhuterisë me simbole kombëtare, pompat e benzinës, rrobaqepëset, taksistët, këngëtarët dhe të tjerët. Sallat për martesa janë përplot.
Më thonë se në rrafshin e Dukagjinit ndodh shpesh që krushqit të presin në radhë para ndonjë hoteli për të pritur të mbarojë dasma e të tjerëve e cila ka nisur më herët. Tash edhe dasmat bëhen në tri ndërrime aq e madhe është kërkesa.
Sezoni i verës, së paku në Kosovë, shënon edhe një lloj afati kalimtar nëse do të shpreheshim me një gjuhë të futbollit. Shumë të rinj nga Kosova fejohen dhe martohen me të rinj që tashmë kanë shtetësi të Zvicrës, Gjermanisë apo ndonjë shteti tjetër të Evropës Perëndimore. Shumë të rralla janë dasmat ku që të dy të martuarit janë nga Kosova dhe do të vazhdojnë jetën bashkëshortore në Kosovë.
Para fejesave, sikur në afatin kalimtar të futbollit, skautët duhet ta kenë kryer punën e tyre, të kenë gjetur kandidatët potencialë. Këtë rol e luajnë më pak msitët tradicionalë e më shumë hallat, tezet, morat, dajat dhe të afërmit familjarë. Nuk kanë nevojë më as të shkojnë në Kishë për “Ditën e Zojës së Madhe” siç përshkruan Veton Surroi në romanin e tij “Miliarderi”, por tash takohen edhe nëpër restorante, plazhe dhe pishina ku analizat e potencialit mund të jenë shumë më të lehta.
Kur vijnë korriku dhe gushti është koha e nënshkrimit të kontratave dhe realizimi i transfereve, në këtë rast shkuarja në Zvicër dhe Gjermani ku i pret një jetë e re dhe një potencial për karrierë. Kështu kosovarët thyejnë atë izolimin e lirisë së lëvizjes që e kanë të imponuar nga Evropa dhe gjejnë mënyra për të shkuar