E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të bëjmë vizionin të shihet njësoj prej të gjithëve?

magdaNga Magdalena Ramohito

Ëndërrimtar është ai që se gjen dot rrugën veçse nën dritën e hënës; ndërsa dënimi i tij është se e sheh agimin shume më herët se të tjerët.

Ne po jetojmë në një epokë që ka shumë punë dhe pak edukim, në epokën kur njerëzia është kaq e zënë me punë sa është budallallepsur fare.

Puna, veprimi është i kufizuar e relativ, ndërsa i pakufizuar e absolut është vizioni i atij që vëzhgon, i rehatuar, i atij që shëtit i vetmuar dhe ëndërron.

Vizionari është ai që e sheh agimin më herët se të tjerët dhe për këtë është i dënuar, sepse është kaq e vështirë të bësh  mjaftueshëm njerëz pjesëmarrës në sensin e të projektuarit tek ta mënyrën si ai e sheh agimin sipas përfytyrimit të tij në kohë e hapësirë.

Shpesh kjo është një fatkeqësi për personin që arrin të shohë agimin më herët nga gjithë njerëzia.

Përveç kësaj rëndon si një fatkeqësi mbi secilën veçori fizike e intelektuale. Në të gjitha kohërat ka ekzistuar kjo dilemë, ndoshta do të ishte më mirë të mos dalloheshe në asnjë cilësi nga bashkëkohësit e tu. Dhe kjo jo për sarkazëm, por vetëm të liqtë e budallenjtë kanë fatin të jenë më të lumturit në këtë botë. Ndërsa duke pasur mendimin, artin, madje edhe bukurinë, njerëzit janë ata që duhet të paguajnë në mënyrën më të tmerrshme këto cilësi të dhëna nga natyra.

E keni vënë re sa të vështirë e ka një person i lindur me shumë cilësi të mira të përfshihet me turmën e të pëlqehet menjëherë prej saj? Jo, ai do të kalojë vështirësi pas vështirësisë dhe vetëm në qoftë se ka një shpirt të fortë e një qëllim të lartë në mëndje me shumë mund e sakrifica do tia dalë.

Pavarësisht se ai do me gjithë zemër ta drejtojë turmën drejt Agimit të tjerët, ata inferiorët se çkanë një forcë magjikë që i mban turmat të mbërthyera në vend e ju tregon një drejtim tjetër atë më të thjeshtin e më të pakuptimin, e kjo sjell shumë humbje kohe, shumë dhimbje të panevojshme, shumë kufizim energjish të destinuara për nga zhvillimi.

Kjo po ndodh sot e 23 vjet ne Shqipëri; në shkolla ka pak ose asfare edukim, kështu turmat orientohen lehtë në errësirë dhe shikimi i tyre është fort i ambientuar, e aty merren me punë sipas tyre, por me punë që budallallepsin njerëzinë e jo të kthehen në mirëqenie për ta.

Kalimi nga errësira në dritë ka vështirësitë e veta, sepse kur më e shumta e popullsisë orientohen mirë në errësirë, ajo pjesa e paktë që mund ta shohë më herët agimin, i duhet një punë e stërmadhe për të bindur shumicën një e nga një se, kah agimi është vizioni, i cili e tejkalon vijën e horizontit.

Në këtë pikë jemi sot, megjithëse shumica ka votuar vizionin, ka zëra që tentojnë të prishin gëzimin e njerëzve që po e presin, të zvetënojnë vullnetin për të bërë realitet këtë vizion me qëllimin e mbrapsht, për ta penguar ndoshta edhe padashje, ngaqë kanë frikë nga e reja që po vjen, hamendësimi se ndoshta nuk do ta gjejnë veten aq rehat sa më parë, por nuk përjashtohen përpjekjet qëllimkëqija, të cilat i kanë ngulur thonjtë në trupin e këtij vendi duke e konsideruar një plaçkë të vetën e jo të të gjithëve. Duhet akoma edukim, megjithëse deri tani janë tallur me procesin e edukimit të aplikuar nga qeveria që po vjen, por si çdo inovacion që aplikohet tek gardhi i fqinjit thith shumë xhelozi dhe dëshirë të keqe, që ai të mos përfundojë me sukses.

Prandaj midis 1001 halleve dhe punëve të rëndomta që shqiptarët sot janë të ngarkuar, është mirë që në mbrëmje tek dera të gjejnë ndonjë fletëpalosje, që tregon vizionin e ri, apo hapësirat investuese të reja sepse jo çdo mungesë në fakt është e keqe, përkundrazi ajo kthehet në një avantazh, duke u bërë hapësirë investuese.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›