Qose: Metës nuk i është ndaluar asnjë takim, 3600 komunikime telefonike

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, tha sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, se presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk i është ndaluar asnjë takim apo komunikim telefonik.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të ngritur nga deputeti Klevis Balliu për trajtimin e ish-presidentit Ilir Meta në burg, Qose theksoi se është trajtuar me dinjitet të plotë, sipas rregullave dhe ligjeve.
Qose tha gjithashtu se deri më sot Meta ka kryer 3600 komunikime telefonike.
“Nuk i është ndaluar asnjë takim z. Meta. Ka realizuar të gjitha takimet që kanë autorizimin e prokurorit, pa përjashtim. Nuk i është ndaluar asnjë komunikim telefonik, përkundrazi, deri sot në ditën që flasim ka 3600 komunikime telefonike. Ka pasur një incident, do ta quaja, lidhur me një komunikim telefonik që është shfaqur në një studio. Për atë veprim institucioni i ekzekutimeve penale “313” e ka shqyrtuar në komision dhe ka vendosur një masë disiplinore për këtë veprimtari, për vetë faktin që është masë arrest me burg dhe për ruajtjen e rendit dhe qetësisë”, tha Qose.
Ai shtoi se “nëse të gjithë të paraburgosurit do dilnin në media dhe do tregonin historinë e vet apo të kërcënonin njerëz se kush e ka futur në burg, për raste hakmarrje, nuk mund të jemi në këto kushte”.
“Jo çdokush që ka një masë sigurie mund të dalë në media e të flasë ato që do. Vërtetë z. Meta ka qenë ish-president, por është trajtuar me dinjitet të plotë sipas rregullave, ligjeve, Konventës Evropiane për të Dënuarit dhe të Paraburgosurit”, u shpreh Qose.
/m.q/r.e/ /a.g/