E Shtunë, 31 Tetor 2026

Quinti s’ka kërkuar ndërrimin e ndonjë ministri

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, nëpërmes një deklarate për shtyp, në emër të ambasadave të shteteve të Quintit, ka demantuar raportimet e sotme në media se i ka drejtuar kryeministrit Thaçi ndonjë kërkesë për ndërrime në Qeverinë e tij.

“Quinti ka parë raporte në mediume me burim individë të paemëruar, të cilët pohojnë se i deklarojnë pikëpamjet apo qëndrimet e Qeverive të Quintit. Quinti dëshiron të qartësojë në emër të vet - shteteve të veta - se ata nuk i kanë prezantuar Kryeministrit, qoftë kolektivisht apo individualisht, dëshmi apo të dhëna të inteligjencës lidhur me veprimet e supozuara korruptive të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Quinti, po ashtu, dëshiron të qartësojë se nuk i është drejtuar Kryeministrit, qoftë kolektivisht apo individualisht, për të kërkuar ndërrime në Qeverinë e tij. “Shtetet e Quintit konsiderojnë se kjo është përgjegjësi e Kryeministrit dhe partnerëve të tij të koalicionit”.

Shtetet e Quintit, nëpërmes kësaj deklarate, ripohojnë përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar me Qeverinë e zgjedhur të Kosovës, për të avancuar interesat e shtetit dhe për të shtyrë përpara qeverisjen e mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›