E Shtunë, 31 Tetor 2026

Quo vadis Klosi?

Bekim Kupina*

Teksa ishte përgjigjur në pyetjen e 24 të pyetësorit të gazetarit Mustafa Nano, publicisti Ardian Klosi nga shtatori i vjetëm e kishte definuar qartë konceptin e vdekjes. Nëse kishte frikë nga vdekja, Klosi kishte thënë: Aspak, vetëm se do të doja të mos ishte e dhunshme. Të ikësh i qetë, me vetëdije e pa dhimbje duhet të jetë një bekim. Nuk kam frikë nga vdekja, të ikësh i qetë nga kjo botë, duhet të jetë një bekim. Pjesa dytë e fjalisë është dhe fjala e mbramë, të cilën Klosi e shkroi në formë mesazhi për gruan e tij. Ky formulim është analiza e fundit e Ardian Klosit dhe kumti se në shoqërinë shqiptare njerëzit mund ta kenë një fat të tillë. Jo për shkak të përcaktimit personal, por për shkak se, duke mos dalë nga korniza, shoqëria shqiptare ende po vazhdon të paraqesë rrezik për individin, ku ai nuk mund të shfaqet dhe ku është shënjestër e mediokritetit të pushtetit e mbase edhe shoqërisë në përgjithësi. Ai iku nga kjo botë duke lënë peng dëshirën e tij për një bisedë me Gjergj Kastriot Skënderbeun, në të cilën ai kishte dashur të ishte prezent edhe historiani Oliver Jens Schmitt, e mbase edhe Ismail Kadare. Nuk pati qare pa pasur një dëshirë të tillë, në kohën kur u stigmatizua nga shoqëria shqiptare pse përktheu Skënderbeun e Schmitt-it, thuajse të ishte ai vetë autori. Klosi nuk bëri gjë tjetër, përpos që me argumentet e tij më pas, duke mbrojtur veprën e Shcmitt-it, tentoi ta promovonte idenë e demitizimit historik në një vend që ende vuan pasojat e historisë. Kësisoj, Klosi i dha të drejtë Schmitt-it, i cili prezantoi heroin kombëtar të tillë çfarë ishte, në përmasa reale, duke e zhvendosur nga boceta gjigante. Por, ama zor që demitizimi të shkrepë si ide në Shqipëri, ku për më tepër se gjysmë shekulli njerëzit kishin ngre në super-mit figurën e diktatorit, e cila ende sot e kësaj dite rri si shpatë Demokleu mbi vendin e trazuar. Klosi iku, por e kishte përmendur njëherë se ua kishte zilinë gazetarëve amerikanë që e rrëzuan Niksonin nga pushteti me aferën Watergate. Me gjithë këtë zili Klosi u dorëzua para atyre që mbajnë pushtetin në Shqipëri, para medikoritetit. I kritikoi shpesh, por në fund i la në vetminë e tyre, teksa veten e shndërroi në një mision fatal. Qeveritarët tanë shesin. Po, po ata janë shitësit më të mëdhenj, më të paskrupullt e më të pakontrolluar të këtij vendi. Po të vëresh me kujdes, të gjitha veprimet më të mëdha, më të bujshme, daç të qeverive socialiste, daç të kësaj që kemi sot, janë shitjet…, kishte shkruar Klosi në një artikull të tij, duke e cilësuar virtuale pavarësinë e Shqipërisë. Qasja kësisoj nuk e bën atë antipavarësi, por thjesht ai merr rolin që duhet ta ketë një intelektual i mirëfilltë- të një kujdestari azhur të zhvillimit të shoqërisë. Pra, një korrektori, kritikuesi të argumentuar, i cili nuk e lë shoqërinë të sharrojë në injorancë dhe të vdesë nga padituria. Ardian Klosi e bëri punën e vet. Një vit para ikjes në amshim, në autorësi me Artan Lamen, ai bëri një libër-përmbledhje me 51 shkrime, të cilat mbronin Piramidën e Tiranës. Është bërë e nevojshme të dimë se si të veprojmë përballë një pushteti të tillë që nuk pyet jo vetëm elitën intelektuale, por as popullin e thjeshtë, kishte thënë Klosi në promovim. E pyetjet e tij për ecejaket e shoqërisë shqiptare duket se po shtereshin, sepse dhimbja e tij po e humbiste luftën. Karakteri i tij më së miri përmblidhet në titujt e veprave, ku shpërfaqet publicisti i ndjeshëm ndaj problemeve sociale në vendin e tij. Dilema ekzistenciale e shoqërisë shqiptare ishte unifikuar një me dilemën e Klosit, të cilën si hije e kishte ndjekur qëmoti. Prandaj, dorëzimi përballë realitetit kishte nisur të ngadhënjejë kohën e fundit në përditshmërinë e Klosit. Dy herë brenda një periudhe të shkurtër tentoi ta fitonte përjetësinë. Të tretën e bëri. E publicistika shqiptare mbeti pa penën e mprehtë të njeriut që nuk diti asnjëherë të zezës t`i thotë e bardhë. Prandaj, Ardian Klosi nuk u vetëvra. U vra nga shoqëria shqiptare e zhytur në mediokritet, për të cilën Klosi thoshte se nuk të lënë as të vdesësh. Në shoqërinë shqiptare ka ende punë për t`u bërë. Ajo nuk është as siç ishte, as sikur është, e as sikur duhej të ishte. Quo vadis Ardian Klosi…?!
*Publicist, Prishtinë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›