E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, e hapur për tregun energjetik

Shqiptarët nuk do të blejnë më energji me çmime të disfavorshme, siç ka ndodhur deri tani. Zgjidhja, sipas Kryeministrit Sali Berisha, do të vijë nga privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, proces i cili pritet të mbyllet brenda pak ditësh, por edhe nga bashkëpunimi i Shqipërisë me vendet e tjera, për të hyrë në tregun e energjisë. Synimi i qeverisë është mbrojtja e shtresave në nevojë nga efektet e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke bërë një kompensim të ndjeshëm të pensioneve dhe rrogave të ulëta.

Këtë deklaratë, Kryeministri Sali Berisha e bëri në Forumin I të Komunitetit të Energjisë (18-19 nëntor), i cili dje në ditën e parë të punimeve të tij, në hotel “Sheraton” i kushtoi rëndësi aspektit social të energjisë. Kreu i qeverisë vuri në dukje se "me një kuadër të ri ligjor, vendi po ecën me shpejtësi drejt koncesionimit të tyre, sikundër jemi të angazhuar për diversifikimin e prodhimit të energjisë, përfshi këtu energjinë eolike, energjinë nga nafta dhe qymyret dhe energjinë nukleare". Para përfaqësuesve të vendeve të rajonit, të cilët ishin të pranishëm në këtë forum, Kryeministri Berisha u shpreh "për ofrimin e shërbimeve më të mira ndaj konsumatorit dhe të çmimeve më të mira të mundshme". Në këtë drejtim, ai siguroi se "Shqipëria është thellësisht e hapur të bashkëpunojë për një treg unik, për standardet më të mira sociale, për mbrojtjen e konsumatorëve, diversifikimin e burimeve energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit". Duke vlerësuar mbajtjen e forumit nën kryesinë shqiptare, kreu i qeverisë tha se "forumi mblidhet në përputhje të plotë me memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar 1 vit më parë në Vjenë dhe trajton një nga problemet më të ndjeshme të energjisë, aspektin social të saj". "Shqipëria është thellësisht e hapur të bashkëpunojë për një treg unik, për standarde më të mira sociale, për mbrojtjen e konsumatorëve dhe diversifikimin e burimeve energjetike", - tha ai. Kreu i qeverisë kërkoi gjithashtu që të punohet për një treg unik rajonal dhe më pas evropian, pasi sipas tij, ky rajon me rezervat e tij të mëdha energjetike mund t'i ofrojë ekonomisë katalistin kryesor të zhvillimit, energjinë. Me gjithë masat e marra nga qeveria për zhvillimin e resurseve energjetike, Kryeministri Berisha vlerësoi aspektin social, i cili sipas tij, është më i dhimbshmi. "Qytetarëve u është dashur të përballojnë blerjen e energjisë me çmime të disfavorshme. Shqipëria ka trashëguar një gjendje “vendnumëro” në zhvillimin e resurseve energjetike dhe për rrjedhojë një problematikë në rritje, e cila është ndikuar fuqishëm edhe nga ritmet e shpejta të zhvillimit të vendit", - tha kreu i qeverisë shqiptare. Duke shprehur bindjen se asgjë nuk mund të garantojë shërbimin e duhur për qytetarët, më mirë se sektori privat, Kryeministri Berisha informoi se "gjatë këtij muaji do të formalizohet privatizimi i sektorit të shpërndarjes së energjisë".

"Janë dhënë leje koncesionare për disa kabllo nënujore që do të lidhin Shqipërinë me tregun italian. Shqipëria në tërësi është një vend që ka si burime të vetme energjetike, burimet ujore. Vendi ka një potencial shumë të madh ujor për të shfrytëzuar, me rreth 20 bilionë kilovat/orë ende të pashfrytëzuara apo 400 HEC-e të përmasave të ndryshme", - tha Kryeministri. Z. Berisha vuri në dukje se "reformat në fushën e energjisë janë të pandërprera edhe pse sërish ekzistojnë pengesa serioze që lidhen kryesisht me interkonjeksionin, por deri diku edhe me burimet aktuale të pamjaftueshme".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›