E Enjte, 5 Nëntor 2026

Qytetarët dhe bizneset më pesimistë, ngadalëson besimi në ekonomi në dhjetor

Besimi në ekonomi ka pësuar një ngadalësim gjatë muajit dhjetor. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike u tkurr me 3.8 pikë në fund të vitit 2024 megjithatë, niveli aktual qëndron  më shumë se 8 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Rënia më e madhe u regjistrua në sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve. Ndërsa në një masë më të vogël ndikoi edhe rënia e besimit të konsumatorit.

Por pavarësisht këtyre treguesve të dhënat me frekuencë tremujore tregojnë se gjendja financiare e bizneseve u përmirësua lehtësisht në tremujorin e katërt, duke rezultuar si vlera më e lartë historike për sektorët e industrisë dhe ndërtimit.

Po ashtu një tjetër element i rëndësishëm pozitiv është edhe  rritja e normës së  shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre që  është rritur këtë tremujor në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Të dy këta tregues qëndrojnë ndjeshëm mbi vlerat e mesatares historike përkatëse

Treguesi i besimit të industrisë  ra vetëm  me 1% dhe u ndikua nga vlerësimet më pak pozitive të bizneseve për prodhimin industrial aktual. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për lart krahasuar me muajin e kaluar, ashtu si edhe pritjet e bizneseve të këtij sektori për punësimin në të ardhmen. Ndërkohë që treguesi i besimit në ndërtim shënoi rënie me 5.5 % në dhjetor e ndikuar direkt nga  aktiviteti aktual ndërtues.

Tkurrje shënoi edhe Treguesi i besimit në shërbime  ku  kontribuuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre.Pavësisht se fluksi i turistëve ka vijuar përgjatë vitit dhjetori njihet si muaj me më pak lëvizje në krahasim me muajt e tjerë të vitit./abcnews.al

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›