E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët e Poliçanit në protestë kundër Reformës Territoriale

Dhjetëra qytetarë protestuan sot në qytetin e Poliçanit, kundër planit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës Territoriale 2.0.

Tubimi u zhvillua në sheshin kryesor të qytetit, ku banorët u mblodhën me slogane, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të qeverisë.

Me pankarta në duar ku lexohej: “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit”, “Deputetë dele, mos e votoni reformën”, banorët janë mbledhur në sheshin përpara kinemasë së qytetit duke shprehur indinjatën e tyre.

Protestuesit i kanë kërkuar qeverisë të mos e prekë bashkinë e Poliçanit, duke theksuar se ky qytet ka dhënë votën e tij prej vitesh dhe se në lojë është e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve.

Kryetari i Partisë Socialiste të Poliçanit, Erjon Zylyftari ka dhënë në shesh dorëheqjen nga Partia Socialiste, duke deklaruar se kjo që po bën qeveria me Poliçanin është një padrejtësi dhe një turp i madh

Në shenjë indinjate për këtë veprim, qytetarët e Poliçanit kanë djegur në shesh teserat e Partisë Socialiste.

Gjatë tubimit, banorët kanë firmosur një peticion për të kundërshtuar shkrirjen e bashkisë së Poliçanit, duke e cilësuar këtë si një kauzë jetike për komunitetin e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›