E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët e pabarabartë para ligjit

Në tryezën e organizuar sot nga Forumi për Siguri, ku ishin pjesëmarrës kryeprokurorë, gjykatës, përfaqësues nga Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione tjera që merren me çështjen e sigurisë, u publikua dhe diskutua analiza me titull “Krim i rëndë, vetëm në letër – politika e ndjekjes dhe dënimeve në rastet që ndërlidhen me armë”.

Kjo analizë, vështron dhe analizon politikat ndëshkuese për veprat penale që ndërlidhen me armë.

“Veprat penale që ndërlidhen me armët janë ndër veprat më të shprehura në Republikën e Kosovës. Kemi një ndërlidhje mjaft të ndërlikuar në mes të armëmbajtjes dhe krimeve tjera. Në një anë armët janë burim i vrasjeve, plagosjeve, grabitjeve dhe kanosjeve të ndryshme. Dhe në anën tjetër, armët shërbejnë si masë mbrojtëse për shkak të pasigurisë së qytetarëve për jetën dhe pronën e tyre. Kjo pasiguri vjen edhe si rezultat i dështimit të institucioneve të drejtësisë për të ndjekur dhe dënuar në mënyrë meritore kryesit e vjedhjeve dhe grabitjeve”, tha në tryezë, Betim Musliu, hulumtues në Institutin Kosovar të Drejtësisë, njëherësh edhe njëri nga autorët e analizës, shkruan express.

Sipas analizës, del se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk trajton të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit. Në mungesë të unifikimit të politikës së dënimeve, dënimet kanë qenë të ndryshme brenda gjykatës së njëjtë e po ashtu edhe në mes të gjykatave të ndryshme. Për çdo vit në gjykatat e Kosovës zgjidhen mbi 1,000 lëndë, ku rreth 4% të lëndëve shqiptohet dënim me burgim, 80% të dënimeve janë me gjobë nga 400 deri në 1,000 Euro, dhe përmbi 10% janë dënime me kusht, ku në vitin 2008 kishte arritur kulmin duke shkuar në 32%.

Një politikë e tillë e dënimeve nuk ka arritur që të zbrapsë qytetarët nga mbajtja e armës pa leje dhe njëkohësisht me këtë politikë janë pajtuar të gjithë hisedarët institucional ku gjatë vitit 2010 dhe 2011, Gjykata Supreme ka pranuar vetëm 169 raste të armëmbajtjeve pa leje dhe se rreth 50% të këtyre rasteve i ka konfirmuar. Një problem tjetër thelbësor në sistemin e drejtësisë është vjetërsimi i lëndëve. Nga viti 2008 deri në tetor 2012, numri i lëndëve të pazgjidhura është rritur për 27% duke shkuar nga 1,324 në 1,681 lëndë.

Të pranishmit në tryezë, pro et contra edhe mes vet insitucionit të gjyqësisë dhe prokurorisë, diskutuan mbi ashpërsimin e politikave ndëshkuese, duke pasur parasysh se pa politika të ashpra ndëshkuese, nuk do të arrihen rezultate në këtë drejtim. Faktori socio-ekonomik nuk do të duhej të merrej parasysh në rastet e dënimeve të poseduesve dhe përdoruesve të armëve të jashtligjshme, u tha nga shumë zyrtarë, pasi që u potencua disa herë se gjatë shqiptimit të dënimit për veprën e armëmbajtjes, merret në konsideratë gjendja ekonomike e të akuzuarit.

Rekomandimet e dala nga kjo analizë për institucionet përkatëse janë:

- Policia e Kosovës duhet të punojë më shumë në informatat e bazuara në inteligjencë për të zbuluar vendndodhjen e armëve tek qytetarët. Në këtë drejtim, Policia e Kosovës, duhet të zbatojë me përpikëri Udhëzimin Administrativ për Gjurmimin e Armëve të Zjarrit, në mënyrë që të krijohet baza e të dhënave që do të shërbej për identifikimin e pistave ku njësitë e policisë do të mund të konfiskonin armët pa leje. –

- Policia e Kosovës, duhet të organizoj më shumë plane veprimi për të parandaluar përdorimin e armëve nëpër ahengje. Megjithëse është vërejtur një përkushtim më i madh i tyre, sidomos gjatë sezonit veror, duhet shtuar numri i këtyre operacioneve, në mënyrë që të konfiskohen armët në posedim të qytetarëve dhe poashtu të sensibilizohen popullata.

- Prokurori i Shtetit duhet të ngritë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, Gjykatat dhe institucionet e tjera që të ndërtojnë politika dhe plane veprimi adekuate për ndjekjen e personave që përfshihen në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me armët.

- Gjykatat duhet të ashpërsojnë politikën e dënimeve në rastet e armëmbajtjeve pa leje, në mënyrë që të arrihet qëllimi i dënimit dhe të ndikojë tek kryesit e këtyre veprave penale dhe tek të tjerët që të senzibilozohen për fuqinë e ligjit.

- Ministria e Drejtësisë, duhet të ndryshojë legjislacionin penal duhet të harmonizohet në mënyrë që mos të krijohen paqartësi sikurse në rastin e armë mbajtjeve, ku ka kolizion ligjor ndërmjet ligjeve duke saktësuar kompetencat e ndjekjes dhe gjykimit të veprës penale armëmbajtje.

- Duhet të shtyhet përpara zhvillimi i një baze të të dhënave e cila do të shërbente për shkëmbim të informatave në mes të hisedarëve, përkatësisht policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Këtu kërkohet koordinim i mirë në mes të policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Informatat e tilla do të mundësonin bërjen e politikave adekuate në këtë fushë.

- Duke pasur parasysh lehtësinë e ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të armëmbajtjeve pa leje, Prokurori i Shtetit duhet të hetojë parashkrimin e lëndëve që kanë të bëjnë me armëmbajtje pa leje./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›