Qytetaret kerkojne pune ne PS
Pas apelit të kryesocialistit Rama për të dërguar CV-të në adresë të tij, në selinë e Partisë Socialiste janë paraqitur jo pak të papunë. Akuzave se nisma e tij përhap kulturën antishtet, Rama i është përgjigjur me një tjetër postim në Facebook.
Nëse në ballinën e PS-së do të ishte shkruar “Ofrohet punë”, në vend të “Faleminderit!”, rezultati mund të kishte qenë i njëjtë.
Ditët e fundit selia e kësaj partie ngjante më shumë me një zyrë pune ku njerëzit vijnë në kërkim të një sistemimi.
Shkak nuk është mesazhi falënderues, por një apel i kryetarit Rama që nga profili i tij në Facebook, ftonte t’i dërgonte kurrikulumin kushdo që donte të provohej në skuadrën e tij.
Ndonëse mesazhi i Ramës sqaronte që ftesa e tij nuk do të thotë punë për të gjithë dhe se aplikimi mund të bëhej bëhej vetëm online, askush nuk e ka vënë re linkun në fund të tekstit.
Norës që prêt njerëzit në recepsionin e PS-së, i duhet të sqarojë se s’ka ku t’i dërgojë kurrikulumet që i dorëzohen.
Por ka edhe nga ata që preferojnë ta dorëzojnë CV-në në dorën e ndonjë deputeti. Të tjerë nuk kanë asgjë me vete, përveç hallit që duan të qajnë me pushtetarët e rinj. Me shpresën se dikush do t’i ndihmojë.
Vetë kryetari Rama ka hedhur poshtë akuzat se ftesa e tij prodhon një kulturë antishtet. Përmes një tjetër postimi në Facebook, sqaron se apelin e ka bërë jo me cilësinë e kryetarit të partisë por të kryeministrit të zgjedhur. “Nuk po mbledhim CV për të ndarë vende pune”, replikon Rama, por për të krijuar një bazë të dhënash për burimet njerëzore që më pas do të kthehet në një institiucion të mirëfilltë. Sipas tij, të gjithë ata që po aplikojnë do të njoftohen individualisht për çdo konkurs të hapur në sferën që lidhet me profesionin dhe eksperiencën e tyre.
Por mos e quani zyrë pune!