Qytetarët në ditën e 125-të në protestë para Kryeministrisë

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, në ditën e 125-të të protestave kundër investimit të planifikuar në Zvërnec.
Protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj u shpreh para Kryeministrisë se qëndresa e protestuesve ka vijuar pavarësisht kohëzgjatjes dhe vështirësive të përballuara.
“Në ditën e parë të kësaj proteste askush nga ne nuk e dinte sa do të zgjaste, çfarë pune do të kërkohej dhe sa këmbëngulje për ta çuar përpara këtë betejë”, deklaroi Vatnikaj.
Ajo theksoi se protesta, sipas saj, nuk lidhet vetëm me kundërshtimin ndaj klasës politike, por edhe me kërkesën për dinjitet dhe për një shtet në shërbim të qytetarëve.
Vatnikaj shtoi se protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë qeverisë.
“Kjo betejë nuk është betejë vetëm kundër klasës së korruptuar politike 36-vjeçare, por është për të marrë dinjitetin që na kanë shkelur gjithë këto vite dhe për të rimarrë shtetin në shërbim të qytetarëve”, tha ajo.
E nisur më 31 maj në kundërshtim të investimit në Zvërnec, protesta qytetare përgjatë këtyre muajve ka zgjeruar spektrin e kërkesave duke nisur nga anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, tek anulimi i “Paketës së Maleve”.
Protesta në diten e 105, Foto Florian Abazaj 1 nga 7/m.q/a.f/r.e/