Qytetarët vijojnë protestën në Tiranë, i përgjigjen thirrjes së Berishës

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Në ditën e 128-të të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec, qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
Protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Me pankarta në duar protestuesit bënë thirrje kundër qeverisë Rama dhe shitjes së Shqipërisë përmes projekteve të ndryshme turistike.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj, në fjalën e saj para Kryeministrisë, akuzoi deputetët dhe ministrat se nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve, por të krimit të organizuar.
Ajo u ndal edhe te protesta e zhvilluar sot para Kuvendit, duke deklaruar se tre protestues janë shoqëruar në komisariat.
Një protestues u ndal te thirrja e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili u kërkoi demokratëve të bashkohen me protestën qytetare ditën e enjte. Protestuesi u shpreh se protesta nuk është e Berishës, por e qytetarëve, duke kërkuar mospërfshirjen e tij në të.
Në protestë foli edhe aktivisti Ilir Xhemalaj, i cili kritikoi një emision humori për mënyrën se si është trajtuar protesta.
“Sot doja të flisja për këta palo-artista, kanë guximin për të përqeshur protestën. Si nuk kanë turp. I kemi parë mirë çfarë artistash janë”, tha Xhemalaj.
Ai iu drejtua gjithashtu të rinjve, duke i bërë thirrje të angazhohen në protestat kundër qeverisë.
“U drejtohem të gjithë gjimnazistëve dhe të rinjve, dilni dhe luftoni, sepse ky vend është për ju”, deklaroi Xhemalaj.
E nisur më 31 maj në kundërshtim të investimit në Zvërnec, protesta qytetare përgjatë këtyre muajve ka zgjeruar spektrin e kërkesave duke nisur nga anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, tek anulimi i “Paketës së Maleve”.
Protesta para Kryeministrise, foto: Florian Abazaj 1 nga 5/gj.m/