E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi në takimin e ministrave të Mbrojtjes të Nismës Adriatiko-Joniane në Venecia

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Ministrat e mbrojtjes të 6 vendeve bregdetare të Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia, diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përballë një mjedisi gjithnjë e më kompleks strategjik.

Gjatë takimit, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi theksoi rëndësinë e forcimit të kësaj nisme si një mekanizëm praktik për rritjen e koordinimit, bashkëpunimit dhe kapaciteteve të përbashkëta në hapësirën Adriatiko-Joniane, duke iu përgjigjur në mënyrë më efektive sfidave të reja të sigurisë dhe mbrojtjes.

Nufi u shpreh gjithashtu se, “Shqipëria mbështet vijimin e diskutimit për Nismën Kontinentale Evropiane për Mbrojtjen (CEDI), në kuadër të së cilës Evropa merr përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e saj, në mënyrë komplementare me NATO-n dhe duke ruajtur të fortë lidhjen transatlantike”.

Ai nënvizoi se, “ADRION dhe CEDI janë dy drejtime plotësuese: njëri përmes thellimit të bashkëpunimit praktik në Adriatik dhe Jon; ndërsa tjetri përmes forcimit të koordinimit politik e strategjik në Evropë.”

Në këtë drejtim, u shpreh Nufi, “vendi ynë mbetet i gatshëm të kontribuojë aktivisht për t’i kthyer ambiciet e përbashkëta në bashkëpunim, kapacitete dhe rezultate konkrete për sigurinë evropiane e më gjerë”.

Nisma Adriatiko-Joniane është një mekanizëm rajonal bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe sigurisë detare në hapësirën Adriatiko-Joniane.

ADRION fokusohet në rritjen e bashkëpunimit praktik, koordinimit, ndërveprueshmërisë dhe zhvillimit të kapaciteteve të përbashkëta ndërmjet vendeve pjesëmarrëse – Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›