E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytete e udhë në prag të Pavarësisë

Fatos Baxhaku

Sipas shënimeve të vjetra nga një koleg francez

FATOS BAXHAKU

Si të gjithë gazetarët e udhëtimeve, edhe Gabriel Lui-Zhare (Gabriel Louis-Jarey) ka një mënyrë të shpenguar të të parit të vendeve. Duket sikur gati-gati u përshkrua një udhëtim që e ka bërë me shokë pa e vrarë mendjen shumë se tashmë ishte në një vend të huaj, me zakone të tjera, me fe tjetër, me gjuhë tjetër dhe që nuk para kishte nam edhe aq fort të mirë. Lui-Zhare ka qenë një ndër gazetarët që ka shkruar shumë për Shqipërinë dhe Ballkanin. Ai udhëtoi ndër anët tona në prag të Pavarësisë. Pikërisht andaj bota që ai rrëfen, emra të njohur, por peizazhe tashmë të ndryshuara tërësisht, mund të na ndihim edhe më shumë për të kuptuar se në çvend stërgjyshërit a katragjyshërit tanë i dhanë udhë ëndrrës së vjetër për Pavarësinë e Shqipërisë. Shënimet e tij të udhëtimit janë një dokument mefortvlerëpër të kuptuar vendin tonë 100 vjet më parë. Ishte koha, kur për të shkuar nga Elbasani në Liqenin e Pogradecit duheshin vërtet 18 orë rrugë!!!

Vlora, dy vjet pas Pavarësisë

Mbërritëm në një port rudimentar, më mirë të themi një skelë, siç e quajnë vendasit, të ndërtuar nga një shoqëri që merret me nxjerrjen e bitumit. Disa pemë fshehin rrënojat goxha të mëdha të një kështjelle vendikase, pastaj, një rrugë plot pluhur të çon nga dogana drejt një qyteti pa bukuri dhe pa hijeshi. Tregu nuk të tërheq dhe tezgat janë të mjera. Sheshi kryesor është mjaft i rëndomtë, ashtu si edhe xhamitë rreth e qark. Uji i rrjedhshëm mungon, kostumet popullore janë zhdukur dhe shtëpitë nuk paraqesin asnjë interes. Ato ndryshojnë shumë nga kullat e Gjakovës dhe Pejës, kështjella të vërteta feudale të bejlerëve shqiptarë të Veriut. Kopshtet e thara nuk e kanë atë jetë që u jep uji i rrjedhshëm i rrëkeve Tiranës apo Pejës misterioze

Hekurudha e pamundur e Durrësit

Durrësi, që gjendet në krye të kësaj rruge të madhe, ka qenë i paracaktuar të shndërrohej në një depo të vërtetë prodhimesh dhe ishte e natyrshme që aty të mendohej që të kalonte rruga, ndërsa tani po mendohet për një hekurudhë. Qysh në kohët e fundit të regjimit turk, shoqëria gjermane hekurudhore e linjës manastir-Selanik thoshte se do ta vazhdonte projektin e hekurudhës nga manastiri në Durrës Turqia ia dha koncesionet për këtë vetëm një shoqërie franceze e cila do të ngrinte një rrugë që nisej nga kufiri i vjetër serb dhe do të dilte në Adriatik, në Jug të Janinës, duke kaluar nëpër Prizren, Kukës, Ohër dhe Korçë. Ishte parashikuar që kjo arterie kryesore të kishte dy degëzime anësore, njërin drejt Shkodrës në perëndim, dhe tjetrin drejt Manastirit në lindje Një plan i mirë punësh publike duhet të ketë si synim ngritjen e menjëhershme të këtyre rrugëve, riparimin e rrugës nga Durrësi në Tiranë, me ngritjen e një degëzimi për në Krujë, përmirësimin dhe bërjen të kalueshëm të shtegut që sot të çon nga Durrësi në Kavajë, Peqin, Elbasan si edhe i rrugës së dytë që bashkon, nga mali, Elbasanin me Tiranën, pastaj lidhjen e Elbasanit me Qukësin ku, duke u nisur nga kjo pikë, mjafton ti përmbahesh rrugës që të çon në Ohër, dhe së fundi, ngritjen e një rruge nga Vlora në Berat dhe Elbasan, me një degëzim në Gurrë drejt Korçës.

Tiranë-Durrës për shtatë orë

Në Durrës më thonë se duhen shtatë orë për të shkuar në Tiranë. Rruga, shumë e rrahur gjatë gjithë vitit, por sidomos gjatë kësaj stine, hyn te më të mirat e vendit. Por përrenjtë dhe rrëketë e kanë prishur në disa vende dhe më këshillojnë që, më mirë të udhëtoj me kalë Në bregun tjetër është ndërtuar një fshat i madh, Shijaku në hartat austriake. Lumi nuk mund të kalohet pa urë dhe atë e mirëmbajnë falë një takse të cilën e mbledh ai person që fshati ka ngarkuar për urën. Dielli është bërë pothuajse njësh me horizontin dhe duket se si po fshihet pas plazhit të Durrësit. Grupi vendos të bëjë një ndalesë, lidhim kuajt në një lloj hangari të ngritur enkas për udhëtarët dhe më shëtisin drejt dyqaneve të afërt që shesin përjashta fruta dhe, nëpër legenë të mëdhenj, duhan të grirë, rrushi dhe dardhat që shkëlqejnë me ngjyra të arta qëndrojnë pranë legenëve të artë me duhan me ngjyrë të verdhë, dhe nëse të parat janë të shijshme, tjetri është plot aromë dhe e meriton ngjyrën që ka

Tirana si vend verimi

Vërtet që Tirana i meriton fjalët e mira dhe unë vetë kam parë pak qytete të tjera me kaq peizazhe të hijshme. Qysh në mëngjes, shëtisim rrugëve. Konsulli i Italisë, me shoqëruesin e tij dhe me përkthyesin tim, më shoqëron dhe më çon së pari në xhaminë e madhe. Syri të zë një shesh të madh të shtruar me kalldrëm të gurtë ku kalojnë disa vijëza uji. Anës tij, shtëpi të bardha fshehin ballët në portikët e tyre. Në fund mbi një ledh, duket xhamia me pesë hajatet e saj dhe bardhësia e kupolës. Në të djathtë, minarja shpon qiellin me majën e saj, dhe në majtë, veçuar nga xhamia, një kullë, si kambanoret e qyteteve tona të vjetra, lartësohet rreth pesëmbëdhjetë metra me sahatin dhe kambanat e saj Ja një xhami tjetër, e vogël dhe e ulët, rreth së cilës zhvillohet pazari. Kuajt e ngarkuar rëndë sjellin shalqinj të mëdhenj. Përgjatë lumit të vogël, tezgat janë nën çati të mjera që mbajnë shirat, mes të cilave janë tendosur copa të trasha. Djem dhe vajza të vogla argëtohen rreth këtyre barakave, disa llokoçiten në ujin e pastër, disa nëpër qoshet e dyqanit flenë përmbi thasë të mëdhenj, të tjerë punojnë me prindërit duke u thirrur njerëzve që kalojnë.

Të hash në Elbasan

Dervish beu është kryetar i familjes së Biçakçinjve, familjes së parë të Elbasanit dhe, me mendjen time, bëj krahasimin me beun e varfër, pothuajse të egër, të Kukësit, me fshatarët dhe shërbyesit e tij. Jemi katër vetë të ulur në tryezë dhe katër vetë qëndrojnë pas nesh. Sjellin një legen bakri dhe një ibrik dhe na sjellin ujë për të larë duart. Pastaj darka fillon me një supë brenda së cilës ka copa mëlçie shpendësh. Kos ose djathë u shërbehet atyre që dëshirojnë, këto bëjnë pjesë në çdo të ngrënë dhe secili merr sipas orkesit. Mish deleje me salcë është pjata e parë. Shqiptarët e gatuajnë kështu edhe delen edhe lopën, por jo viçin, të cilin e përjashtojnë nga ushqimi i tyre. Më pas ka shumë perime, një lloj byreçke me petë që i ngjan një ëmbëlsire, por që brenda ka barishte që i ngjasojnë spinaqit, patëllxhanë të fërguar me gjalpë, një gjellë me speca shumë të veçantë të cilën e quajnë brirët grekë dhe, në fund, pilafi tradicional, sepse, këtu orizi zëvendëson pataten që nuk njihet. Këto gjellë ndahen nga gjëra të ndërmjetme si pite dhe ëmbëlsira të ndryshme me miell misri, dhe, për ta mbyllur, ushqimi më i shijshëm, pjeshkë të tulta e të lëngshme si ato që gjenden vetëm në Francë, si edhe rrush të artë e të shijshëm.

Aventura nga Elbasani deri në liqen

Për të mbërritur në liqenin e Ohrit duhet të udhëtosh afër 18 orë me kalë që nga Elbasani. I ngjitesh luginës së ngushtë të Shkumbinit dhe të njërës prej ushqyeseve të tij dhe, gjatë gjithë rrugës, mezi ndeshesh me katër apo pesë fshatra dhe disa ferma të rralla apo të izoluara. Data është 5 shtator. Nëpër male do të fillojnë shirat e vjeshtës dhe nata nuk mund të kalohet më përjashta. Kështu që unë vendosa ta kalonim brenda ditës gjithë këtë territor aspak mikpritës Nata është e freskët dhe e qartë. Rruga është e lehtë, ajo ndjek fundin e luginës që ngjitet ngadalë dhe shërben për të shkuar çdo ditë nëpër fushat nga të dyja anët e lumit, të cilat janë ngado të punuara. Agimi nuk vonon të ndriçojë majat. Vargmalet shkëmbore të Jugut ngjyhen me rozë. Pak nga pak drita zbret

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›