Pisku i vapës gjen më në fund rrugën për në veriun e kontinentit
Moti
Pas javëve me shi, temperatura rekord për stinën
Vera e këtij viti e ka gjetur me vështirësi rrugën drejt veriut të Europës. Por më në fund dielli ka shkëlqyer edhe për këto shtete, të cilat deri pak ditë më parë i takonin më shumë vjeshtës sesa mesit të verës, aq sa njerëzit me të drejtë nisën që të shihnin kalendarët, duke menduar se gabimi në perceptim ishte i tyre.
Por në fakt nuk ishte ashtu. Për muaj të tërë vende të tilla si Britania, Gjermania, Franca, Suedia dhe shtete të tjera të kësaj zone zor se panë ndonjë copë dielli veror në qiellin e tyre. Shirat litarë kanë rënë për shumë ditë dhe temperaturat kanë qenë të ulëta dhe kryesisht temperatura prag dimri. Sigurisht edhe veshjet u janë përshtatur kushteve të tilla dhe diferencën e bënin vetëm turistët që shkonin në jug të kontinentit për pushime dhe ktheheshin të zinj në një vend ku binte shi dhe njerëzit ishin veshur me triko. Por ditët e fundit, gjithçka ka ndryshuar me shpejtësi. Gjatë fundjavës që shkoi, në Gjermani, Britani e gjetkë, temperaturat kapën shifrën maksimale të 40 gradë Celsius dhe dielli shkëlqeu më shumë se kurrë dhe e diela e fundit ishte dita më e nxehtë e regjistruar që nga viti 2003. Të hënën ishin pak më të ulëta, por sërish ishte tepër nxehtë për këto vende dhe për më tepër pas një periudhe të gjatë shirash dhe temperaturash të ulëta. Si rezultat njerëzit kanë rendur nga qendrat e qyteteve në zonat malore dhe ato bregdetare për të përfituar nga ky mot që ofron shumë mundësi pushimi dhe relaksimi. Për ata që duan temperatura të ulëta, priten që të vijnë nga mesi i javës kur ato do të ulen dhe do të jenë më normale. Si pasojë e këtij të nxehti të papritur e të madh, ka pasur disa shtrime në spital, edhe pse nuk mund të fliste për një problem me përmasa epidemie. Koha me mot më të butë dhe temperatura deri në 20 gradë do të zgjasë deri në fundin e gushtit.
Pisku i vapës gjen më në fund rrugën për në veriun e kontinentit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip