E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetet pasuri botërore e njerëzimit në Shqipëri on-line në 7 gjuhë

07/02/2009  Trashëgimia shqiptare on-line

Qytetet shqiptare që janë pasuri botërore e njerëzimit tanimë vijnë më të prekshëm se kurrë edhe on-line.

Butrinti, Gjirokastra dhe Berati janë bërë pjesë e www.sitiunescoadriatico.org, një site ku shpalosin vlerat e tyre vizuale, historike e arkeologjike në 7 gjuhë, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe. Pjesë e projektit “INTERREG III A” Itali–Shqipëri, kjo nismë ka për qëllim të vlerësojë trashëgiminë artistike, kulturore e natyrore të vendeve të njohura nga UNESCO-ja si trashëgimi e njerëzimit të ndodhura në dy anët e Adriatikut, duke nxjerrë në pah dhe karakteristikat e tyre të jashtëzakonshme. Kjo adresë interneti mundëson krijimin e itinerareve që vënë në dukje lidhjet historiko-artistike dhe karakteristikat e bashkëndara të vendeve të ndryshme të UNESCO-s, duke sugjeruar edhe udhëtime turistike të panjohura më parë. Projekti ka realizuar gjithashtu përhapjen e eksperiencave të restaurimit, rikuperimit, katalogizimeve dhe të linjave orientuese për administrimin e vendeve pranë të gjithë partnerëve nëpërmjet organizimit të seminareve dhe workshopeve të studimit mbi restaurimin dhe teknikat e tij, mbi forma të reja të përshtatshme për administrimin e vendeve-trashëgimi kulturore e mbi promovimin turistik.

Ky informacion, i mbështetur edhe nga uebsajti www.çhnet.eu, ku listohen në disa gjuhë edhe përmbajtja e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, muzeut “Onufri” në Berat, Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë, Muzeut Arkeologjik në Tiranë si dhe Muzeut Etnografik në Krujë (së fundi këto muze janë përgëzuar edhe në një artikull në “Corriere del Mezzogiorno” në Itali), por edhe nga www.albaniantourism.com, faqja zyrtare e turizmit shqiptar, japin të dhëna mbi përmbajtjen e këtyre destinacioneve, pjesë e pandarë e itinerareve turistike-kulturore. Të plotësuara edhe nga vendosja e sinjalistikës turistike gjatë vitit 2008 në 8 rajone kryesore të Shqipërisë, ky investim të bën të besosh se qendrat historike, parqet arkeologjike e muzetë shqiptare mbase do të jenë më të vizitueshme e më pranë vizitorëve të huaj, por edhe atyre vendas.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›