Akademia e Shkencave zgjedh kryetarin dhe anëtarët e rinj
Gudar Beqiraj është zgjedhur kryetari i Akademisë së Shkencave. Beqiraj konkuroi për këtë post me akademikët Apollon Baçe, Kolec Topalli. Pas votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Akademisë së Shkencave anëtarët e asocuar të këtij institucioni vijuan me të njëjtën procedurë (votimet) për postet e tjera drejtuese. Në postin e zv/kryetar të Akademisë së Shkencave, u zgjodh Prof. Dr. Muzafer Korkuti, në postin e Sekretarit Shkencor prof. Dr Salvatore Bushati, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike, Prof. Dr Emin Riza dhe kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike, u zgjodh Prof. Dr. Dhimitër Haxhimihali.Pas përfundimit të zgjedhjeve, Prof. Dr. Beqiraj tha se, "Jam vërtetë i lumtur dhe i kënaqur për këtë post, sepse akademia dha një shembull të mirë në realizimin e një proçesi zgjedhor transparent dhe korrekt. Për mua nuk ishte e rëndësishme nëse fitoja unë, ose miku im, Kolec Topalli, i rëndësishëm ishte realizimi i proçesit zgjedhor".Ai vlerësoi drejtuesit parardhës të Akademisë së Shkencave, ndërsa u shpreh se, "kam mbështetjen e akademikëve të rinj që janë brënda dhe jashtë vendit, Konferencës së Rektorëve me kryetar Jorgo Kaçani dhe Rektorin e Universitetit të Tiranës Dhori Kule, me të cilët do të n'a shihni shumë shpejt bashkë për t'a çuar përpara shkencën shqiptare". Prof. Dr. Gudar Beqiraj e çmoi mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin me universitetet dhe institucionet shqiptare, me të cilët, sipas tij, "do t'a çojmë përpara shkencën dhe sidomos, vendimmarrjen për projektet e reja".
Ndër prioritetet kryesore në drejtimin e Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Beqiraj vlerësoi koordinimin sa më të mirë në frymën e bashkëpunimit me akademikët dhe bashkëpunëtorët shkencorë. Por ai veçoi si mjaft të rëndësishme " krijimin e një fondi për shkencën sipas modelit të Komisionit Europian për të mos hasur vështirësi në burokracitë e financës së shtetit".Ndërkohë, 39 anëtarët e asociuar të Akademisë së Shkencave po vijojnë me proçedurat e zgjedhjeve për postet e zëvendëskryetarit, sekretarit Shkencor, kryetarëve të seksioneve shkencore për shkencat shoqërore e albanologjike si dhe natyrore e teknike. Në votimet e sotme mungoi akademiku shkrimtari Ismail Kadare, ndërsa akademiku tjetër, Artan Fuga votoi në largësi, përmes postës nga Parisi, (Francë) ku gjendet për momentin.