E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët në protestë para Kryeministrisë

07/02/2009  Diplomat e Bolonjës

Studentët e laureuar sipas ciklit të parë të Bolonjës janë të vendosur që të vijojnë tubimin kundrejt qëndrimit të Ministrisë së Arsimit për mosndryshimin e formatit të diplomave të nivelit të parë. Gjatë marshimit të djeshëm studentët janë ndaluar para Kryeministrisë, duke kërkuar ndërhyrjen e kreut të këtij institucioni për të ndryshuar udhëzimin e Ministrisë. Nëse do të vijojë po i njëjti reagim, studentët kanë pohuar se jo vetëm do të shtojnë protestat, por do të përfshihen edhe në grevë urie. Nëpërmjet një peticioni ata i kërkojnë Kryeministrit të ndërhyje pranë Ministrisë së Arsimit për të ndryshuar udhëzimin e këtij institucioni në një kohë sa më të shpejtë, që të mos cenohet më tej procesi akademik. "Kemi pasur disa takime me ministrin dhe ai nuk na ka dhënë asnjë lloj shprese për kërkesat tona për titullin, që është gjeja kryesore, ndaj kemi menduar të vazhdojmë kështu derisa të na dëgjojnë, sepse nuk po marrim ndonjë reagim në të mirën tonë”, - pohon përfaqësia e studenteve, duke shtuar se greva e urisë është masë ekstreme, por jo e përjashtuar në rast se nuk do të ketë reagim zyrtar. Ndërkohë dy ditë më parë një tjetër peticion i është dërguar kreut të MASH-it me firmat e më shumë se 1600 studentëve, që kërkojnë rikthimin në fuqi të modelit të diplomës që është propozuar nga Senati i Universitetit të Tiranës, por që është hedhur poshtë nga ministria, e cila ka përzgjedhur vetë një tjetër variant, në të cilin nuk ka specifikime titujsh e as emblemat e fakultetit. Mungesa këto të cilat, sipas studentëve ndikojnë në diferencimin e tyre nga tregu i punës, duke i bërë diplomat të pavlefshme. Ndërsa ekspertët e ministrisë kanë pohuar se specifikimi i titujve bëhet pasi mbarohet edhe cikli dyvjeçar “master”, kur lëshohet shtojca e diplomës. Njëkohësisht është deklaruar se formatet e diplomave për nivelin e parë nuk pengojnë studentët në tregun e punës, por duke mos specifikuar titujt atyre u lënë më shumë hapësirë veprimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›