E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti Studenti, konvikti më i shtrenjtë se një shtëpi me qira

Shtrenjtohet jetesa në konvikt. Këtë vit tarifa shkon 45 mijë lekë për çdo student

Qyteti STUDENTIStudentët që do të strehohen këtë vit akademik në godinat e Qytetit Studenti do të duhet të paguajnë një tarifë më të lartë se ajo e një viti më parë. Drejtoria e Qytetit Studenti ka vendosur që tarifa vjetore të rritet me 3 mijë lekë të reja, duke e çuar në 45 mijë lekë pagesën totale.

Tarifa në konvikt

Rritja e pagesës do të jetë prej 3 mijë lek të rinj, pra nga 42 mijë lekë në 45 mijë, një shifër që është menduar si e përballueshme nga studentët, ka pohuar në media drejtori i QS-së Bujar Brovina. Çdo vit pagesa në konvikte është rritur me afro 5 mijë lekë, duke i detyruar studentët që në shumicën e rasteve të marrin shtëpi me qira, dhe ti refuzojnë konviktet shtetërore. Nëse bën një llogaritje të thjeshtë të rezulton se një dhomë konvikti të kushton njëlloj, ose edhe më shumë se një shtëpi me qira.

Shtëpitë ne qira

Në Qytetin Studenti, apo edhe në zona të tjera afër universiteteve, mesatarisht një shtëpi me qira, me dy dhoma e mobiluar, kushton 20 mijë lekë të reja në muaj (200 mijë lekë të vjetra). Nëse 3 apo 4 studentë vendosin të jetojnë bashkë në një shtëpi të tillë iu bie ta paguajnë 5 deri në 7 mijë lekë në muaj qira, ndërkohë që po të përpjesëtosh 45 mijë lekëshin e konviktit për 9 muaj që zgjat viti shkollor, (nga tetori deri në qershor), rezulton se edhe në konvikt do të duhet të paguash një shumë prej 5 mijë lekësh për çdo muaj. Ndonëse komoditeti është se në konvikt nuk paguan taksat për ujë dhe drita, kushtet që ka nj shtëpi me qira nuk mund të krahasohen me një dhomë konvikti ku rrinë minimumi 3 studentë, me një etazher për librat, dhe një gjysmë dollapi për të mbajtur rrobat. Ndërsa sa për gatimin as që bëhet fjalë të gjesh hapësirë, edhe pse një pjesë e studentëve gatuajnë nëpër dhoma, si një mënyrë më ekonomike për ta.

Studentët

Rreth 6 mijë studentë pritet të akomodohen këtë vit në bujtinat e Qytetit Studenti. Aktualisht në godinat e Qytetit Studenti po kryhen rregullime të cilat do krijojnë kushte jetese më cilësore për ta. Strehimi i studentëve të viteve të para për sezonin e ri pritet të fillojë gjatë javës së dytë të muajit shtator, ku në bashkëpunim me Sekretaritë e Fakulteteve të cilat do të paraqesin në Drejtorinë e Qytetit Studenti listat me emrat e studentëve të rinj, do të nisin edhe regjistrimet dhe do të bëhet shpërndarja e studentëve nëpër dhoma.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›