Edi Rama pa rivalë në garën për postin e kryetarit të PS
Në 26 shtator përfundon mandati i Edi Ramës si kryetari i Partisë Socialiste
Partia Socialiste pritet të zhvillojë në tetor ose në muajin nëntor zgjedhjet për kreun e partisë, pasi mandati i Edi Ramës mbaron më datë 26 shtator. Por pikërisht në ditët e fundit të shtatorit, lideri i PS në cilësinë e kryeministrit do të jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe për këtë arsye zgjedhjet do të mbahen në muajin tetor.
Gara
Ndryshe nga zgjedhjet e tjera të zhvilluara që nga koha kur Rama mori drejtimin e PS-së, këto zgjedhje i gjejnë socialistët në pushtet dhe referuar sërish statutit të kësaj force, kryetari i partisë është edhe kryeministri i vendit. Edhe pse duhen më tepër se 20 ditë nga dita kur mbaron mandati i Ramës në PS burime nga selia rozë bëjnë me dije se deri më tani nuk ka asnjë kandidat për të garuar me Ramën në këtë post çka i jep Ramës automatikisht edhe një mandat tjetër në drejtimin e socialistëve. Fitorja e thellë e arritur nga PS në zgjedhjet e 23 qershorit ka bërë që para Ramës mos të dalë asnjë rival. Neni 27 i Statutit të socialisteve përcakton se kur vendi i kryetarit të partisë mbetet vakant. Asambleja Kombëtare mblidhet brenda 15 ditësh dhe thërret brenda 30 ditësh Kongresin e jashtëzakonshëm të partisë për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të kryetarit të ri të partisë, e cila nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit. Ajo që dihet deri më tani është rikandidimi i Ramës, dhe kjo do të jetë gara e tij e pestë dhe mandati i tij katërt në drejtim të socialistëve.
Garat e Ramës në PS
Garën e parë për të marrë drejtimin e PS-së, Edi Rama e zhvilloi në vitin 2003, përballë Fatos Nanos dhe Rexhep Mejdanit por pa mundur dot të fitojë. Pas kësaj, Rama rikandidoi sërish në vitin 2005, pas dorëheqjes së Nanos ku përballë tij ishte Rexhep Mejdani, duke e mundur këtë të fundit me një diferencë të ngushtë votash.
Rama në shtator në SHBA, mungon në zgjedhjet e PS
Vetë Edi Rama pritet të mos jetë në Shqipëri ditët e fundit të shtatorit, kur mbaron zyrtarisht edhe mandati i tij si kryetar i PS-së. Sipas burimeve, Rama në këtë datë pritet që të jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të Bill Clinton. Nuk dihet ende se si do të veprojnë socialistët në këtë rast ndërkohë që ekziston mundësia e shtyrjes së datës së mbajtjes së zgjedhjeve. Duke qenë se me shumë gjasë nuk do të ketë një kandidatë për të garuar përballë Ramës atëherë duket se kjo zgjidhje do të jetë një procedurë dhe jo një garë. Megjithatë ende nuk ka një qëndrimi zyrtar nga selia rozë për këtë çështje.
Katër garat e zhvilluara nga Rama për drejtimin e PS
Siç pritet, Edi Rama do të rikandidojë për kryetar të Partisë Socialiste dhe kjo do të jetë gara e tij e pestë dhe mandati i tij katërt. Në vitin 2003, në pozicionin edhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës,Edi Rama, kandidonte për herë të parë në Kongres përballë kryetarit të atëhershëm, Fatos Nano dhe ish-presidentit Rexhep Mejdani, garë të cilën ai do ta humbiste, pasi përballë kishte kryetarin dhe kryeministrin e vendit. Dy vjet më vonë, në vitin 2005, ai do të provonte sërish përballë ish- presidentit Rexhep Mejdani, të cilin do ta mundte me një diferencë të konsiderueshme. Mandati që mori në vitin 2005 për Ramën nuk do ishte i plotë, por plotësues i mandatit të lënë për gjysmë nga Nano. Ndaj në vitin 2007, pasi ishin kryer edhe ndryshimet e nevojshme statutore, PS-ja zhvillon sërish zgjedhjet për kryetar të saj, por kësaj here direkt nga anëtarësia sipas parimit një anëtar një votë. Në zgjedhjet e 12 majit të atij viti, Rama mori mandatin e plotë të tij si kryetar i PS-së, përball Shkëlqim Metës. Këtë mandat Rama do ta mbante vetëm 2 vjet, pasi në vitin 2009 ai do të humbiste zgjedhjet e përgjithshme dhe një klauzolë në statutin e PS e detyron kryetarin të dorëheqjen në rast se humbiste zgjedhjet. Rama u dorëhoq dhe do të rikandidojë sërish në zgjedhjet e 26 shtatorit, të cilat i fitoi bindshëm përballë Maqo Lakrorit.