E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje, studentët në protestë, bojkot provimeve

pROTESAT E STUDENTEVE TE EKONOMIKUTStudentët e Universitetit të Tiranës kanë rinisur protestat ditën e djeshme kundër ndërtimeve pa leje që po ngrihen brenda territorit të universiteteve, duke u bërë në këtë mënyrë pengesë edhe për ngritjen e kampusit universitar. Të rinjtë e Fakultetit Ekonomik, duke dashur të kundërshtojnë me çdo kusht këtë fenomen (ndërtimet pa leje) kanë kërcënuar se do të bojkotojnë provimet dhe diplomimin në rast se Bashkia e Tiranës nuk ndërhyn për të prishur ndërtesën që po ngrihet para Ekonomikut. Ata kanë zgjedhur të protestojnë në këtë mënyrë së bashku me stafit pedagogjik të këtij fakulteti. Prej pak kohësh një godinë shumë katshe po ndërtohet pa leje afër Ekonomikut, ndonëse ka një proces gjyqësor që ende vazhdon. Ndërkohë drejtuesit e fakultetit i bëjnë thirrje bashkisë por edhe inspektoratit ndërtimor që të mos shkelë ligjin pasi leja e lëshuar në vitin 2004 për ndërtim është shfuqizuar. “Kjo godinë s’ka leje ndërtimi, në këto kushte kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit. Do përdorim të gjitha metodat demokratike që lejon ligji që ne të fitojmë të drejtat tona si fakultet. I bëj thirrje inspektoratit ndërtimor vetëm të zbatojë ligjin dhe të mos bëhet avokat i ndërtimeve pa leje në territorin e fakultetit, jo vetëm për këtë godinë, por edhe për godinën tjetër që është në territorin e kampusit të universitetit. I bëj thirrje kryetarit të bashkisë të zbatojë ligjin,” tha Fatmir Mema, zv.dekan i Fakultetit Ekonomik. Nga ana tjetër ka reaguar edhe përfaqësuesi i godinës që po ndërtohet në oborrin e  fakultetit ekonomik. Ai shprehet se ndërtesa që po ngrihet ka një leje ndërtimi si dhe një vendim tjetër për vazhdimin e punimeve. “Ka një lejë ndërtimi e lëshuar nga KRT-ja e Tiranës, ka dhe një vendim gjykate e cila lë në fuqi këtë leje ndërtimi ka dhe një urdhër përmbarimi për vazhdimin e punimeve, ne duhet të vazhdojmë punimet dhe të mbarojmë objektin sa më shpejt, urdhri është i datës 6 qershor 2013,” tha Pavlin Kalushaj, administrator i godinës që po ndërtohet. Ndërkohë, studentët dhe pedagogët e fakultetit ekonomik kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë mësimin  në fillim të tetorit, kohë kur edhe do të startojë viti i ri akademik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›