E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti i kaosit

Gjatë kohës kur Isa Mustafa synonte të merrte titullin kryetar komune, pati premtuar shumë. Njëri ndër premtimet e dhëna për të fituar zemrën dhe votën e kryeqytetasve, ishte hartimi i planeve rregulluese dhe urbanistike, për të shndërruar Prishtinën në një qytet metropolitan. Por kjo nuk po ndodh.

Binak Beqaj, ekspert në fushën e urbanizmit, thotë së Komunës së Prishtinës i mungon plani për zhvillim komunal dhe atë urbanistik, prandaj edhe gjendja në fushën e planifikimit urban në Prishtinë është e rëndë.

Sipas tij, arsyeja kryesorë që këto ndërtime pa leje kanë marrë një vrull kaq të madh, është mungesa ë këtij plani.

“Edhe ato plane që janë bërë për disa lagje të Prishtinës, janë pak të implementuara dhe mund të quhen si ndërtime ilegale. Pa plan për zhvillim urbanistik, nuk mund të bëhen plane për ndërtimin e rrugëve”, thekson Beqaj, i cili beson se Komuna do të duhej që të ndërmarrë diçka më herët sa i përket planit urbanistik.

”Tash është shumë vonë që të bëhet diçka e re për qytetin, sepse është diskutabile nëse ka hapësirë për t’u ndërtuar. Le t’i bartë Komuna pasojat e këtij kaosi”, përfundon eksperti Beqaj.

Ndërsa, sipas Valdet Osmanit, drejtor i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, disa plane urbanistike që Komuna i ka hartuar, nuk korrespondojnë me punën që janë duke e bërë.

“Unaza që është duke u ndërtuar në hyrje të Prishtinës, në Komunë nuk është paraparë me Pan rregullativ. Kjo tregon se mungon bashkëpunimi profesional dhe ai politik, dhe kjo automatikisht ndikon në jetën e njerëzve”, tregon Osmani për Express.

Sipas tij, kur të bëhet programi i planifikimit, ai duhet të jetë në koordinim në mes qeverisë lokale dhe asaj qendrore.

“Nëse Komuna do të bashkëpunonte me ekspertë dhe profesionistë, atëherë kjo do të ndikonte në zhvillimin e qytetit. Por, nëse këta që janë në pushtet vazhdojnë me luftën e tyre politike dhe nuk merren me kaosin që është shkaktuar në qytet, atëherë qytetarët do të pësojnë”, thotë Osmani.

Ndërsa Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar në Komunën e Prishtinës, nga radhët e PDK-së, thotë se pa e pasur planin zhvillimor urban të cilin Komuna nuk e ka, është shumë vështirë që të bëhen planet rregulluese.

“Kryetari i Komunës së bashku me ekzekutivin e tij, prej vitit 2004 nuk kanë bërë asnjë analizë të këtij plani se sa është implementuar”, thekson Veseli, duke e quajtur këtë plan vetëm një vizion, sepse nuk ka asnjë element të planit të mirëfilltë.

Ai fajëson udhëheqësit komunalë për mosangazhim në punët e planifikimit.

“Deri tash nuk është bërë ky planifikim ashtu siç duhet, sepse nuk është marrë parasysh gjendja faktike. Është punuar kryesisht në kabinet dhe asnjëherë nuk kanë dalë në terren për të shikuar gjendjen e qytetit të tyre”, përfundon Veseli.

Por Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, i hedh poshtë të gjitha këto.

Ai thotë se të gjitha planet rregullative janë miratuar me procedurë të hapur.

“Numri më i madh i këtyre planeve është miratuar me shumicë votash në Asamblenë Komunale. Për çdo gjë që është punuar, është marrë për bazë gjendja faktike në terren dhe kemi vepruar duke iu referuar këtij plani”, u shpreh Gashi për Express.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›