E Shtunë, 31 Tetor 2026

Soren Jessen Petersen vjen në Kosovë

Në Ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, këtë vit, fjalimin kryesor do ta mbajë ish-përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen.

Në letrën, që i dërgoi Universitetit Amerikan, kur pranoi ftesën për t’iu drejtuar studentëve, Petersen ndër të tjera shkroi: “Ishte një kënaqësi e veçantë për të marrë pjesë në një eveniment të një institucioni, i cili po kontribuon aq shumë në edukimin e brezave të rinj të Kosovës. Unë gjithmonë kam thënë se e ardhmja u takon të rinjve dhe të rejave të Kosovës. Dhe, duke parë rolin që studentët e AUK-ut po marrin gjithnjë e më tepër, kjo e ardhme po afrohet gjithnjë e më tepër.”

Petersen ka shërbyer në Kosovë gjatë viteve 2004-2006 dhe konsiderohet, nga shumë njohës të çështjes së Kosovës, si personi më i suksesshëm që ka mbajtur këtë post. Edhe pas largimit nga pozita e tij në UNMIK, Petersen e vazhdoi aktivitetin e tij për arritjen e një zgjidhjeje të drejtë për çështjen e Kosovës, duke vazhduar karrierën e tij në Washington.

Tani, Petersen është ligjërues në Universitetin Georgetown dhe Johns Hopkins në kryeqytetin amerikan. Ai vazhdon të jetë një zë i lartë për zhvillimet në Kosovë dhe është njëri ndër analistët më të kërkuar rreth çështjeve të Ballkanit.

Universiteti Amerikan në Kosovë këtë vit diplomon gjeneratën e gjashtë. Ceremonia e diplomimit do të mbahet më 26 maj, duke filluar prej orës 15:00.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›