E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti ku fëmijët kanë humbur lojërat

Eljan Tanini
Nuk shoh më fëmijë të luajnë. Kanë harruar lojërat apo nuk ka më fëmijë në lagjet tona? Ndoshta nuk ka më topa apo litarë për të kërcyer! Duket sikur nuk ka më fëmijë që luajnë bashkë, djem dhe vajza që pastrojnë të gjithë bashkë oborrin e pallatit. Djem që gjuajnë me llastiqe për të ngrënë kumuri (dhe ndonjë gjyshe që i pjek ato në sobë) apo për të thyer xhamat e zonjës Va.

Vajza që luajnë shtëpirash, të tjerë që luajnë komand-komand, syllambylla e topadjegsi. A ndahen përsëri për të shtirë teksobiçi apo edhe doçekanoçe? A ulen përsëri në shkallët e pallatit, dhe të dalë ndonjë zonjë Pa për ti larguar, duke i hedhur ujë ose me fshesë në dorë se gjoja po del për të pastruar shkallën? Ku janë vajzat e vogla që mblidhen për të bërë ushqimin e kukullës? Përse nuk luajnë më shtëpish, mamash apo babash?

Flas si një fëmijë për qytetin e tij, atje ku gjunjët gërvisheshin dhe çaheshin mbi garazhet e rreshtuara para pallatit, aq sa urinoja mbi gjunjë që të piqej lëkura, aty ku pëlqeja të hidhesha prej tyre në rërë, të bënim kausha për tu gjuajtur më tuba vajzave; apo të luanim në trotuare, duke vënë në lojë këdo. Nuk harroj edhe shprehjen time: Teta, më fal sa është ora? Unë nuk dua aspak të them se ishim ne fëmijët që luanim, duke bërë qejf, por të nënvizoj se spo shoh aspak fëmijë të tjerë të luajnë poshtë pallateve! Ku janë? Po rritet një brez sintetik.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›