Bomba poetike e politike!
Dita e mërkurë, 4 prilli i vitit 2012 do të hyjë në histori. Në historinë e Gjermanisë, Izraelit, Iranit dhe para së gjithash në bio e bibliografinë e nobelistit gjerman për Letërsi, Günter Grass. Poezia e tij me titullin Was gesagt werden muss (shqip: Atë që duhet thënë) e botuar në të njëjtën ditë në Süddeutsche Zeitung të Munihut, New York Times të New Yorkut, La Republicca të Romës dhe El Pais të Madridit, brenda vetëm disa orësh u bë tema e planetit, në poetikë e politikë, të kaluar, tashme e ardhme, histori e diplomaci. Një lirikë prej 67 rreshtash, e cila sishte dhe sështë gjë tjetër pos një bombë, e cila shpërtheu në faqe gazetash, laboratore krijuesish e kritikësh, kancelari të qeverive e parlamenteve … e ku jo tjetër.
Meqë poezinë në fjalë do ta sjellim në këtë numër të gazetës dhe të përkthyer në gjuhën shqipe, mbase nuk do të ishte me vend që edhe ta analizojmë këtu. Le tia lëmë lexuesit ta gjykojë dhe vlerësojë- pozitivisht apo negativisht. Me kontekst politik pro apo contra Izraelit a Iranit, Gjermanisë a vetë autorit të vargjeve.
Kjo poezi, sado që u pajtuam me të apo jo dhe para së gjithash me mesazhet që ajo përcjell, disi njeriut dhe njerëzimit do të duhej ti jepte shpresën që autoritet intelektuale, forca e vargut, rreshtit dhe përgjithësisht e krijimtarisë (letrare e artistike) vazhdon të ketë ndikim edhe në këtë kohën tonë: në fshatin global që aq shpesh ankohemi e vajtojmë që dyshemetë e bursave dhe zyrat e xhamta të bosave e menaxherëve të bankave ia kanë zënë frymën angazhimit e ndikimit intelektual!
Ajo që u tha nga Grass tashmë shihet si e kryer dhe për polet e krijuara nuk ka më kthim prapa. Sepse nëse në 24 orët e para të (pas)botimit të poezisë poeti e shkrimtari gjerman hëngri dru e kritika nga New York deri në qendrat politike e poetike të Europës për antisemitizëm, vazhdimësinë e urrejtjes së hebrenjve qysh nga rinia e tij prej ushtari të SS-it nazist, gjë kjo e cila atij i pati kushtuar me aq shumë urrejtje e kontraversa pasi e pati marrë Nobelin… pa lënë anash këtu as akuzat e drejtpërdrejta nga kolegë e politikanë që vargjet e tij janë një ndihmë e fortë për mullahët e Teheranit, të cilët jo vetëm që nuk e pranojnë ekzistencën e shtetit izraelit, por janë për fshirjen e tij nga faqja e dheut… pas këtyre 24 orëve të sulmeve frontale, dhe pak, fare pak emrave të njohur që i dolën në mbrojtje (kryetari i Akademisë së Arteve në Berlin, Klaus Staeck, ishte një prej tyre) ishte vetë Günter Grass ai që mori iniciativën dhe doli në televizorët gjermanë apo iu dëgjua zëri nëpër radio ku shpjegoi shkaqet e këtij sulmi të tij.
Së pari ai u ankua për barazinë e mediave nëpër të cilat kursojnë akuzat kundër tij. Së dyti ai i dha dy arsyet kryesore, të cilat e kishin shtyrë për këtë hap- e para: vizita e kryeministrit izraelit Netanjahu në Washington, ku deklaroi që Izraeli ka të drejtë që Iranin ta sulmojë me armë bërthamore; dhe e dyta: kur Gjermania i shiti Tel Avivit një nëndetëse nga e cila mund të hedhen koka raketash bërthamore…
Grass kërkoi nga kritikët e tij ta gjejnë vetëm një dhe të vetmin varg a asociacion ku ai shpreh antisemitizëm apo ftesë për zhdukjen e Izraelit apo edhe përkrahje për Ahmedinexhadin, të cilin në poezi e ka quajtur hero mushkash… Dhe vërtet, në këto vargje është zor të gjindet diçka e tillë.
Tekefundit, Der Spiegel e kishte marrë këtë poezi nën llupë duke i bërë autopsi totale për të ardhur tek përfundimi që vargjet nuk kanë asgjë me urrejtjen kundër Izraelit e hebrenjve… por ishte dhe është kritika e një autoriteti siç është Grass ajo që dhemb më së shumti, sepse diçka e tillë nuk pritet (apo pritej) nga gjermanë.
Pa lënë anash këtu nuk mundemi edhe një fakt qenësor: Grass nuk e ka kalkuluar këtë poezi me ndonjë botim rasti të ndonjë libri. Sepse dihet që jo pak shkrimtarë, në prag të botimeve të ndonjë libri, nuk ngurrojnë të hidhen në ujëra skandalesh vetëm e vetëm që të bëjnë pak (vetë)marketing për të kthyer vëmendjen e lexuesve tek të rejat e tyre. Jo.
Duket që autori gjerman ka vendosur që këtë qëndrim të tij ndoshta ta lidhë edhe me një gjë shumë më të thellë: të jetë i pari gjerman (i madh?) i cili vetëm gjashtë dekada pas Holokaustit dhe rritjes së Gjermanisë (së bashkuar) provon të hedhë kritika mbi Izraelin. Dhe, kjo gjë, ky fakt, e ka edhe një kalkulim.
Nëse nga Günter Grass pas dhjetëra e qindra vitesh… nuk do të mbetet asgjë-përfshirë këtu edhe kryeveprën e tij Blechtrommel (Daullja e llamarintë), atëherë njerëzimi, kritika, historia e letërsisë dhe jo vetëm e saj, do ta ketë një Günter Grass, i cili ishte i pari gjerman i cili hodhi kthetrat e tij kundër… Izraelit. Me poetikë e politikë!
