Dixhitalizim virtual apo real?
Dixhitalizimi ka qenë kryefjala e fjalimeve të kryeministrit këto kohët e fundit. Pas tij, edhe ministri i arsimit e përmend dixhitalizimin si një prioritet dhe si qëllim absolut të aktivitetit të tij ministror. Jam i sigurt se ministri nuk e di kuptimin e fjalës, por kjo nuk e pengon ta përdorë. Ndoshta përdorimi i fjalëve pa kuptim është komod për politikanët, sepse kur premtojnë “asgjë” e kanë më të lehtë të mbajnë premtimin e tyre.
Jam i sigurt se ministri e di, por dua t’i kujtoj se dixhitalizimi ka të bëjë pak edhe me shifrat. Që ky proces të mos jetë i sforcuar, por të vijë natyrshëm, duhet bazuar te shkencat e sakta: matematika, informatika, etj. Këto janë pikërisht ato lënde që ministri po u merr frymën gjithmonë e më tepër në programet mësimore të të gjitha niveleve.
Përveç dixhitalizimit në çdo fushë të jetës, një tjetër shprehje më ngacmoi veshin në deklaratat e tij më të reja. Duket sikur ministri ka filluar të ketë një dobësi për përdorimin e teknologjisë së informacionit në mësimdhënie. Nëse e ka seriozisht, më bëhet qejfi që ministri ka ndryshuar mendje. Por faktet janë kokëfortë dhe deri tani kanë dëshmuar të kundërtën. Dua të kujtoj se këto që ministri i thotë sot, në Universitetin e Vlorës bëheshin para tre vjetësh. Këto aktivitete që ministri i konsideron të nevojshme sot para kamerave, në Universitetin e Vlorës u bllokuan me dhunë politike pas kuintave dhe larg kamerave. Në këtë luftë kundër “teknologjisë” ministri luajti një rol të rëndësishëm së bashku me rektorin aktual.
Përtej llafeve të kota, duhet të pranojmë se ligji shqiptar nuk e ka fleksibilitetin për të pranuar forma të tilla mësimdhënie. Nëse ministri me qeverinë duan të bëjnë diçka në këtë drejtim, ata duhet të krijojnë kushtet e përshtatshme për zhvillimin e këtyre formave didaktike. Natyrisht kjo nuk mjafton. Ministri duhet të ndërmarrë një fushatë për të hequr merimangat nga kokat e disa drejtuesve nëpër universitete. Të mos harrojmë se sot kemi drejtues që kanë alergji organike të deklaruara ndaj përdorimit të teknologjive.
Abuzimi i ministrit me durimin e njerëzve vazhdon kur ai përmend shpesh termin “rrjet telematik i universiteteve”. Ideja e këtij projekti e ka origjinën nga Italia dhe i ka fillimet aty rreth vitit 2000. Përveç faktit që tashmë kanë kaluar të paktën 12 vjet dhe gjërat kanë ndryshuar, ideja italiane është përkthyer ndryshe në Shqipëri. Në fakt nuk është e qartë se për çfarë do shpenzohen ato katër milionë euro. Nëse ministri do shtrojë kabëll, ato nuk mjaftojnë as për një qytet e jo më për të lidhur gjithë universitetet. Nëse bëhet fjalë për software, atëherë këto katër milionë janë një shpërdorim flagrant. Mendimi im personal është se me këto fonde po abuzohet dhe ftoj gazetarët të zbulojnë më tepër dhe të denoncojnë këtë situatë.
Përveç faktit që transparenca duhet të jetë maksimale, implementimi i projektit është shumë i dyshimtë. Mjafton të shohim se cilin ka vendosur ministri për të drejtuar projektin. Pavarësisht se ai mund të jetë i mirë në fushën e tij, nuk mund të drejtojë një projekt të këtij lloji.
Natyrisht ka edhe konsiderata të tjera. Ministri pretendon se universitetet do përdorin programet që do u propozojë ministria. Me cilin ligj do i detyrojë ministri universitetet? Ai mund të ndryshojë ligjin e arsimit sipas qejfit, siç ka bërë deri tani, dhe ta bëjë më shtrëngues për universitetet publike. Në këtë rast do cenohej pak autonomia.
Realisht kjo nuk është thjesht çështje ligji. Kjo ide e ministrit ka probleme të tjera praktike, që janë më penguese se ligji. Ministri nuk i detyron dot rektorët. Ata janë të mbështetur nga politika ose nga proteza të politikës. Të mos harrojmë se sot ka pedagoge në universitete, që nuk shkojnë fare në mësim. Ministri i arsimit as këtë nuk kontrollon dot e jo më të detyrojë rektorët të përdorin programe dhe të bëjnë gjëra që nuk duan ose nuk dinë t’i bëjnë. Këto janë thjesht iluzione të ministrit ose retorikë politike.
I kujtoj zotit ministër se sot, në vitin 2012, universitetet publike nuk kanë as faqe interneti funksionale. Disa nga universitetet, shiko Universitetin e Vlorës, kanë bërë çudira për të mbytur çdo tentativë që shkon në këtë drejtim. Zoti ministër e di shumë mirë se si janë shkatërruar programe dhe projekte të këtij lloji dhe si janë larguar ata njerëz që këtë punë e kishin zanat dhe dinin si bëhej. Apo jo zoti ministër? Atëherë si mund të pretendohet të bëhet dixhitalizimi me këtë mentalitet prapanik?
E vërteta është se për ministrin e arsimit situata është e zymtë. Ai ka përgjegjësi personale dhe nuk mund të shpëtojë nga zullumet e tij. Sot ai flet për komunikim virtual midis studentëve, për dixhitalizim dhe për gjëra të bukura si këto, në një kohë që është mirë të largohet nga bota virtuale dhe të shikojë realitetin e hidhur. Jam i bindur se dixhitalizimi për ministrin e arsimit do ngelet virtual, ndërkohë që situata reale po shkon gjithmonë e më keq.
