E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti më i vjetër evropian?

Arkeologët bullgarë, të kryesuar nga profesori Vasil Nikolov, nga Instituti Kombëtar i Arkeologjisë, pohojnë ese në verilindje të vendit kanë zbuluar qytetin më të vjetër në Europë.

Nikolov, i cili ka kohë që merret me studimin e asaj zone të Bullgarisë, pretendon se në atë vend dikur ishte e vendosur qendra kryesore për përpunimin e kripës në Europë.

“Tashmë mund të themi se kriporet në Provadi ndodheshin brenda qytetit më të vjetër europian, i cili ekzistoi diku mes viteve 4,700 dhe 4,200 para Krishtit”, deklaroi profesori Nikolov. Sipas tij, asokohe kripa kishte vlerë të njëjtë sikurse që sot ka nafta, gjë që pati ndikim të madh në themelimin e qytetit.

“Ajo që e dallon këtë vend nga fshatrat e tjera të juglindjes së Europës është fakti se kripa këtu ndodhet vetëm nëntë metra nën ne. Uji i njelmët nxirrej me teknika të ndryshme, përmes enëve të qeramikës. Kripa e përfituar nga ai ujë pastaj shfrytëzohej si njëlloj i parave”, sqaroi Nikolov.

Pretendimet e profesorit bullgar deri më tani i kanë mbështetur edhe shkencëtarët në Japoni, Britani të Madhe dhe Gjermani, të cilët janë marrë me hulumtimet e tij të deritanishme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›