E Diel, 1 Nëntor 2026

RD: PD mund të merrte dhe selinë e Kryeministrisë. Jemi gati po provokoi Rama

pd

Në një editorial të gazetës Rilindja Demokratike, që nga stili ngjan i Berishës, kryeministri i ri, Edi Rama kërcënohet me dhunë, nëse do të prekë selinë e re të PD-së, siç e quajnë SHQUP-in. Në komentin e vet, RD thotë se PD mund të merrte për seli dhe vet godinën e Kryeministrisë dhe më poshtë vazhdon me kërcënimet e saj. Ja disa fragmente:

PD do të meritonte seli të sajën godinën më madhështore të këtij vendi. Mund të meritonte jo SHQUP-in se është disi larg qendrës së kryeqytetit, por do të meritonte Ministrinë e Mbrojtjes, atë që kjo qeveri në këto tetë vite e transformoi tërësisht nga një institucion i primitivizmit të drejtimit ushtarak që më parë i kishte përkitur edhe aleancës famëkeqe të Paktit të Varshavës, në një qendër të mirëfilltë operacionale të drejtimit modern të ushtrisë së një vendi tashmë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Por, mund të meritonte edhe selinë e Kryeministrisë. Pse jo! Është forca që ka bërë historinë e këtij vendi nga rrëzimi i diktaturës komuniste në vitet  90-92 dhe që e ka shndërruar Shqipërinë në një vend normal evropian me standarde demokracie të niveleve të demokracive funksionuese.

Nëse Rama ka vendosur të bëjë dordolecin e Paktit të Varshavës sikurse tentoi mbrëmë, nëse ai vërtet mendon se vota e gënjeshtërt e 23 qershorit i jep atij pushtet për ti gjetur vendin edhe forcës më të madhe politike të këtij çereshekulli, bën mirë që të kthjellohet, të kthehet me këmbë në tokë sa më parë dhe të kuptojë se ai është kalimtar në politikë dhe në këtë botë, ndërsa PD do të jetë edhe shumë kohë, pasi ai të ketë shkuar.

Rasti i reagimit ndaj selisë së PD është dëshmia më e qartë, se Rama kërkon ta nisë pushtetin e tij me konflikt. Shenjat e revanshit janë dhënë edhe më parë ashtu sikurse edhe të babazisë. Duhet ta dijë se, askush nuk do ti ikë konfliktit që ai kërkon të nxisë.

Ashtu sikurse ai ta kërkojë, ashtu edhe do të marrë përgjigjen. Format dhe mjetet le ti zgjedhë vetë. PD nuk është në realitet, opozita e atyre numrave të deformuar që do të ketë nesër në Kuvend. Është shumë më tepër. Nuk janë ato numra që e përcaktojnë forcën e PD. Megjithatë, nëse Rama do të tentojë të testojë duke provokuar, ai është në të drejtën e tij, sikurse duhet ta dijë se çdo kundërveprim është shumë herë më i  fuqishëm se veprimi që ai do të ndërmarrë.

PD-në nuk mundi ta ndalë të ketë selinë e vet në ditët më të vështira të vetët, as diktatura, as Ramiz Alia dhe as Komitetet e Shpëtimit. Nëse kjo i shkon në mendje këtij pinjolli që po sillet si qen i rrahur, nëse mendon se mund të bëjë çfarë të dojë me të drejtën e kësaj force politike për të pasur selinë e vet, atëherë duhet ta lexojë dhe rilexojë mirë historinë, e cila nuk nis ditën kur Rama do të bëhet Kryeministër”./RD(Sali Berisha)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›