E Enjte, 5 Nëntor 2026

REJKJAVIK – Zelensky: 12 000 ushtarë nga Koreja e Veriut do të jenë së shpejti në Rusi

REJKJAVIK (Islandë), 29 tetor /ATSH-AFP/ – Rreth 12 000 ushtarë të Koresë së Veriut do të jenë “së shpejti” në Rusi për stërvitje, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke pritur t’i shohë ata në fushën e betejës në Ukrainë më vonë.

“Tashmë janë 3 000 ushtarë të Koresë së Veriut në territorin rus. Sipas shërbimeve tona së shpejti do të jenë 12 000″, theksoi Zelensky gjatë një konference për shtyp me krerët e vendeve nordike, duke denoncuar edhe një herë një “përshkallëzimi” të konfliktit.

‘’Rusia do t’i përdorë ato në territorin tonë”, tha ai.

Pentagoni nga ana e tij deklaroi se 10 000 ushtarë të Koresë së Veriut tashmë po stërviteshin në tokën ruse.

Sipas presidentit ukrainas, Koreja e Veriut tashmë ka furnizuar Rusinë me “miliona predha artilerie si dhe raketa” për konfliktin në Ukrainë.

I pyetur për rrezikun për Ukrainën nga një zgjedhje e Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane, Zelensky u përgjigj se “nuk e kishte dëgjuar” kandidatin republikan të thoshte se nuk do të mbështeste vendin e tij.

“Mosmbështetja e Ukrainës do të ishte një fitore e madhe për Putinin dhe një humbje e madhe për Perëndimin, për unitetin, demokracinë dhe lirinë”, shtoi Zelensky.

Zelensky u takua me krerët e qeverive islandeze, daneze, norvegjeze, finlandeze dhe suedeze, të cilët premtuan mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›