REPORTAZHI PREKES/ 21 janari në sytë e mi

Elton Dono më 21 janar, pak para se të goditej nga policia
Nga Elton Dono
MËNGJESI
Një ditë që nis si të gjitha të tjerat. Është e premte, 21 janar. Zgjedh të kaloj nga bulevardi përballë kryeministrisë, ku pak më vonë do të mbahet edhe demonstrata e paralajmëruar nga opozita. Një prezencë e ulët njerëzish. Është normale them me vete, pak më vonë këtu do të jetë një panoramë krejt tjetër. Detyra ime si gazetar sot është të mbuloj demonstratën për televizionin ku punoj. Por kam kohë deri atëherë, edhe 3 orë të tjera.
Diku pranë presidencës takoj Gentin, simpatizant i Partisë Socialiste nga Vlora. Gentin e kam njohur 3 vjet më parë në Tiranë. Ku je mo gazetar, – me thotë. Do jesh në demonstratë ti?- Sigurisht ia kthej, në krye të detyrës, siç bëjmë gjithmonë. Kujdes ë, ta pasqyrosh mirë, se mos flasësh pro atij!!! ma kthen ai. Përshëndetemi dhe vijoj rrugën drejt fakultetit. Minutat kalojnë me vrap dhe afron ora 14 ose 2 siç i thotë populli, kur do të zhvillohet edhe demonstrata përballë kryeministrisë.
Nuk çuditem se trafiku është zhdukur. Më tepër këmbësorë. Disa dhjetëra studentë, nxënës shkollash. Në rrugë ndeshem me biseda qytetarësh.
Pranë stadiumit Qemal Stafa janë stacionuar nja 10 a më shumë autobusë me targa të Korçës, Fierit, Vlorës. Ja dhe një i Sarandës. Eci.
Opozita ka planifikuar disa nisje nga pika të ndryshme të kryeqytetit, veçanërisht me qytetarë të ardhur nga rrethet e tjera. Vendtakimi është në bulevardin Dëshmorët e Kombit në orën 14, përballë godinës së kryeministrisë.
FILLIMI I DEMONSTRATËS
Mbërrij në bulevard. Takoj disa kolegë televizionesh. Kryesisht. Të gjithë presin me qetësi demonstratën, gazetarë, operatorë, por edhe qytetarë protestues në pritje të demonstruesve të tjerë që do të vijnë nga rrugët e Kavajës, Durrësit, Elbasanit.
Ndërkohë në shesh kanë mbërritur edhe disa deputetë të Partisë Socialiste, Dokle, Veliaj, Vasilika Hysi, disa të rinj që nuk ua kujtoj emrin, në pritje të të tjerëve që po vijnë me qytetarët. Ora po afron 14. Më zë syri disa pankarta dhe banderola të protestuesve. Sali banditi, Qeveri hajdutësh, Sali Varfëri. Bulevardi duket si një koshere që mbushet çdo sekondë. Gumëzhin. Thirrje të ndonjërit nga protestuesit. Pjesa qendrore e tij është pothuajse bosh. Anët, te trotuaret qëndrojnë protestuesit në pritje. Policia në gatishmëri, në rresht.
Hedh sytë nga kryeministria dhe shoh krerët më të lartë të policisë, Burgaj, Muça e disa të tjerë që nuk i njoh, duke i dhënë direktivat e fundit kordonit të parë të policisë përreth kryeministrisë. Më tepër se 200 policë. Më tej në brendësi të gardhit përreth shoh disa gardistë, e sipër kryeministrisë, Hotel Rognerit, e kryesisë së Kuvendit, disa snajpera, gjithmonë të gatshëm në raste të përkeqësimit të situatave.
Ndjej në fytyrë flladin e ftohtë, çka më bën të mbështillem mirë. Ishalla nuk bie shi, se nuk kam marrë as çadrën mendoj me vete. Ndërkohë që hedh sytë nga qielli dhe shoh re të zeza.
Zhvendosem disa metra drejt kryeministrisë, duke vendosur edhe kartën e gazetarit në qafë. Protestuesit e parë janë duke ardhur. Në krye të tyre janë disa të rinj që brohorasin duke u drejtuar me vrap drejt vendit ku janë vendosur policët. Një banderolë e madhe me mbishkrimin Me kthetra të pastra, është drejtuesja e turmës, e shoqëruar nga thirrjet për largim nga pushteti të qeverisë dhe të kryeministrit Berisha. Në të është vizatuar një karikaturë ku duket qartë fytyra e kryeministrit në trupin e një tigri a maceje. Bëhem pak kurioz, por edhe buzëqesh paksa.
Largohem për pak drejt urës së madhe të bulevardit e në mes të saj shquaj kreun e opozitës, Edi Rama, i shoqëruar nga disa deputetë të PS së si dhe protestues.
Herë pas herë bëj dhe ndonjë lidhje telefonike me televizionin për të pasqyruar situatën në shesh. Afrohem sërish tek kryeministria. Disa metra nga krahu i Piramidës, së bashku me disa kolegë të tjerë. Pranë punonjësve të policisë. Koka e turmës e ardhur me vrull bashkohet dalëngadalë me trungun e saj. Vija e parë e protestuesve fillon të afrohet më tepër me forcat e rendit, e për një moment fillojnë të godasin me dërrasat e hequra nga banderolat apo edhe me çadra. Një çast krijohet një klimë tensioni. Dikush është gjakosur nga protestuesit. Edhe një polic. Në shesh dëgjohen thirrje. Turma nga pas shtyn para drejt kryeministrisë. Vazhdon përleshja. Tashmë bëhen disa të gjakosur. Njëri prej tyre më tërheq vëmendjen. Thinjosh. Kokën e ka të mbuluar me gjak, por nuk pranon ti vijnë në ndihmë. Me duart lart ai sillet vërdallë.
Diku mes turmës shquaj herë pas here edhe ndonjë deputet të PSsë. Kjo gjendje zgjat më tepër se 30 minuta. Turma është e tensionuar. Të moshuar, gra, të rinj që godasin drejt forcave të rendit.
Më pas vjen një ndërhyrje e policisë me gaz lotsjellës e me ujë për të shpërndarë turmën. Dy makina të mëdha lëvizin përballë selisë qeveritare duke lëshuar drejt turmës shatërvane uji për ti shpërndarë ata. Largohem paksa edhe vetë. Por vijoj të qëndroj pranë furgonit të Ora News. Ndjej lotim në sy. Pak ankth. Pasiguri. Në bulevard mbeten disa banderola, turma vrapon në anë të ndryshme, më tepër nga ura e Lanës. Shpërndahet nga forca e gazit. Erioni, operatori, e ka vendosur stativën e kameras mbi furgon dhe përpiqet të filmojë çdo gjë. Erion, eja poshtë të largohemi pak sa të ikë era e gazit i them. Ska gjë më thotë, po qëndroj këtu unë. E çmoj për kurajon. Sytë më lotojnë më keq. Përveç demonstruesve shoh edhe policë që largohen nga kordoni përballë kryeministrisë. Me vrap. Disa të plagosur nga goditjet e protestuesve që ndihmohen nga kolegët, e pjesa tjetër të papajisur me maska kundragazi, detyrohen të largohen. Një gjendje tërësisht kaotike. Gurë që hidhen pa pushim në vrapim e sipër.
Njerëz me sy të përskuqur nga gazi. Të tjerë që vjellin në rrugë, e disa që kolliten rëndshëm. Nuk di cilat janë efektet e gazit e për disa çaste më kap paniku. Herë pas here shoh kartën e gazetarit. Është e vetmja gjë që më dallon nga pjesa tjetër e protestuesve. Ndjej që syri i majtë më mbyllet tërësisht. Detyrohem të heq kapuçin e xhupit për të mbuluar fytyrën me të. Për rreth 2 minuta qëndroj i palëvizur nga cepi i Piramidës. Ndjej frikë, ankth. Çfarë do të ndodhë tani? Çfarë efektesh ka gazi? Po sytë?
Midis turmës dëgjoj disa protestues të moshuar: Mos e fërkoni fytyrën me duar. Vetëm laheni me ujë. Pranë urës së madhe të bulevardit qëndroj për pak.
Përballë kryeministrisë forcat e policisë nuk janë më. Janë larguar krejtësisht. Edhe makinat e ujit nuk janë më në rrugë. Midis turmës dëgjoj njerëz që u kthehen të tjerëve me fjalët: Pse largoheni? Ku shkoni? Ta hedhim! Iku!Iku!Iku!Iku! Kjo fjalë më përsëritet në vesh më fuqishëm. Turma bëhet edhe më energjike. Ndihet e fuqishme.
Çështë kjo?- pyes veten. Mua smë thanë gjë. Të jetë larguar vërtet? Jo, sma merr mendja. Bëj këtë monolog me veten vazhdimisht, deri sa e kuptoj se gjithçka ishte efekt i turmës së përfshirë në vorbullën e shkatërrimit. Era e gazit ulet e turma afrohet sërish drejt kryeministrisë. Këtë herë më e irrituar. Më me nerv. Gardhi përreth kryeministrisë nuk mbrohet nga policët. Është vetëm garda e republikës brenda gardhit e gatshme për të mbrojtur institucionin. Mbi ndërtesat përreth shoh edhe snajperat. Disa kapuçë të zinj tregojnë gardistët dhe tytat e armëve të tyre të zgjatura mbi tarraca. Të gatshëm.
Gurët e shkulur nga bulevardi, pllakat e hequra, janë armët e protestuesve. Kudo tym. Vetëm tym. Flakë. Gurë. Rrëmujë. Rrëmujë. Ka