E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trajneri i Letonisë për sfidën ndaj Shqipërisë: Jemi gati, duam rezultat pozitiv

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Kombëtarja e Letonisë zhvilloi të hënën në mbrëmje stërvitjen zyrtare dhe konferencën për shtyp në Tiranë, në prag të përballjes ndaj Shqipërisë, që do të luhet më 9 shtator, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës FIFA 2026.

Trajneri i Letonisë, Paolo Nicolato, tha se ekipi i tij po përqendrohet tek rikuperimi i formës më të mirë.

“Ndeshja kundër Serbisë dhe ajo kundër Shqipërisë janë dy sfida të ndryshme. Na duhet të rikuperojmë lojtarët, sepse lamë shumë energji. Por jam i kënaqur me performancën tonë të fundit. Po ecim në drejtimin e duhur dhe besoj se mund të bëjmë një ndeshje të mirë edhe kundër Shqipërisë,” u shpreh Nicolato para gazetarëve.

I pyetur për përgatitjet ndaj Shqipërisë, Nicolato tha se fokusi i skuadrës nuk është aq shumë te kundërshtari, por te vetja.

“Siç e kam thënë edhe më parë, nuk shqetësohemi aq shumë për kundërshtarët. Ne përqendrohemi te strategjia dhe përmirësimi i lojës sonë. Ndeshja kundër Serbisë tregoi një qëndrim të mirë nga ana jonë, edhe pse jemi të vetëdijshëm për diferencat në renditjen e FIFA-s dhe përvojë.”

Trajneri i Letonisë në fjalën e tij tha se skuadra që drejton është gati për sfidën dhe ka qëllim arritjen e një rezultati pozitiv.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Letonisë do të luhet të martën në mbrëmje në orën 20:45, e vlefshme për grupin K në kualifikueset e Botërorit SHBA-Meksikë-Kanada 2026.  Po për këtë grup luhet në të njëjtën orë edhe ndeshja Serbi-Angli.  Ndeshja Shqipëri –Letoni do të gjykohet nga gjashtë gjyqtarë polakë të caktuar për sfidën, të udhëhequr nga kryesori Damian Sylvestrzak.

Renditja e Grupit K:

  1. Anglia           4 ndeshje, 12 pikë
  2. Serbia          3 ndeshje, 7 pikë
  3. Shqipëria      4 ndeshje, 5 pikë
  4. Letonia         4 ndeshje, 4 pikë
  5. Andorra        5 ndeshje, 0 pikë

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›