E Hënë, 2 Nëntor 2026

Begaj: Ambasadorët, arkitektë të marrëdhënieve të reja dhe mbrojtës të interesave kombëtare

TIRANË, 8 shtator/ATSH-Maela Marini/ Presidenti Bajram Begaj dha sot një pritje për ambasadorët e Shqipërisë, ku vlerësoi të pazëvendësueshëm rolin e tyre dhe të diplomacisë, si instrument i politikës së jashtme.

“Diplomati i sotëm nuk është vetëm përfaqësues protokollar i shtetit, por ai është arkitekt i marrëdhënieve të reja, ndërtues i urave të bashkëpunimit, zëdhënës dhe formulues i vlerave tona në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar”, tha Presidenti.

Begaj theksoi se në punën e tyre ambasadorët kanë edhe një aleat të jashtëzakonshëm, shqiptarët që banojnë jashtë atdheut.

“Mbajini dyert e ambasadës të hapura për bashkëkombasit tanë. Ata nuk janë vetëm statistika, por janë anëtarë të familjes së madhe shqiptare. Ky vit shënoi një hap historik për diasporën shqiptare duke i mundësuar për herë të parë votimin nga vendi ku ata jetojnë. Kujdesuni që ambasadat tona të jenë jo vetëm qendra graviteti të marrëdhënieve midis shteteve, por edhe streha të sigurta dhe nyje të lidhjeve të forta mes Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë”, u shpreh Begaj.

Presidenti nënvizoi se Shqipëria nuk e ka luksin të ketë përfaqësues diplomatik pasiv që presin vizitat zyrtare të radhës për të bërë diplomatin.

“Në kohën kur bota është mbërthyer nga kriza dhe pasiguri, diplomacia përbën një nga mjetet më të çmuara për mbrojtjen e interesave kombëtare”, tha Begaj.

Presidenti theksoi se për Shqipërinë një diplomaci proaktive është domosdoshmëri jetike.

“Është mënyra jonë për të mbrojtur sigurinë, për të ndikuar në zhvillimin tonë dhe për të kontribuar me dinjitet në çështjet globale. Kjo kërkon mbi të tjera bashkëpunim. Nevojitet më shumë komunikim, më shumë bashkërendim hapash”, shtoi Begaj.

Begaj tha se “politika e jashtme në Shqipëri është më e fortë kur flet me një zë, kur institucionet votojnë në sinkron dhe kur të gjithë punojmë për të njëjtin qëllim të përbashkët”.

“Ky është kushti që forcon shtetin, por që i jep zë të fuqishëm Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shtoi Presidenti.

Presidenti nënvizoi se “po jetojmë një periudhë ndryshimesh dhe tranzicioni në marrëdhëniet ndërkombëtare, çka na shtyn që në politikën e jashtme dhe diplomaci të jemi me qasje më proaktive, më kritikë e të thelluar në analiza, si dhe më largpamës në prognozën e së ardhmes”.

“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarësia në NATO përbëjnë shtyllat themelore të politikës sonë të jashtme. Aleanca me SHBA-të dhe NATO-n është garancia jonë për sigurinë kombëtare, mburoja jonë në një botë të pasigurt dhe, njëkohësisht, dëshmi e vlerave dhe orientimit tonë Euroatlantik”, nënvizoi Begaj.

Ndërsa e konsideroi anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian si synimin parësor, Begaj tha se “ky është objektivi strategjik që përmbledh aspiratat e qytetarëve tanë për zhvillim, mirëqenie dhe sundim të ligjit”.

“Ky është horizonti që orienton reformat tona dhe garanton rrugëtimin e pakthyeshëm të vendit drejt familjes evropiane. Anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk e shohim si rrugëtim vetmitar, sepse besojmë në një rajon të integruar në BE, me shqiptarët si faktor stabiliteti dhe kohezioni. Këtë e kemi dëshmuar nëpërmjet angazhimit tonë dhe kryesimit të iniciativave madhore rajonale”, shtoi ai.

Begaj shprehu bindjen se vendi ynë mund të jetë urë e rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi në Evropë e më gjerë dhe këtë sipas tij e dëshmon suksesi i organizimit të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian në maj të këtij viti, organizimi i Samitit të NATO-s në vitin 2027, si dhe Kongresi Botëror i Ligjit po në këtë vit.

“Shqipëria beson fuqimisht në multilateralizëm, në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe në fuqinë e dialogut. Si një vend i vogël në madhësi, por i madh në vullnet, ne kemi treguar se mund të kontribuojmë për stabilitet, për bashkëpunim dhe për zgjidhje të përbashkëta. Ky është roli që forcon pozitën dhe imazhin tonë në botë, si dhe rrit identitetin e Shqipërisë si partner i besueshëm dhe faktor stabiliteti në rajon e më gjerë”, theksoi ai.

Po ashtu, Begaj kërkoi nga ambasadorët që të vazhdojnë të punojnë në bashkëpunim me partnerët tanë për njohje të reja të Kosovës dhe integrimin e saj në BE dhe NATO.

“E ardhmja do të sjellë sfida të reja dhe të paparashikuara po me përkushtim, mençuri dhe vizion Shqipëria do të dalë më e fortë, më e respektuar dhe më e pranishme në botë”, u shpreh Presidenti në pritjen me ambasadorët.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›