E Diel, 1 Nëntor 2026

ROMË – 8 këlyshë shpëtohen nga policia, transportoheshin në kushte të rënda

ROMË, 9 prill, ATSH/ Tetë këlyshë qeni janë shpëtuar nga policia në lagjen Monteverde në Romë, pasi transportoheshin në kushte të rrezikshme për jetën.

Alarmi u dha nga shoferi i një autobusi, pasi një pasagjere vuri re se një grua e re mbante këlyshët të mbyllur në një karrocë, të mbyllur pa hapësirë dhe pa ajër. Fillimisht ata dukeshin si lodra pellushi derisa u dëgjuan disa rënkime të dobëta.

Pas një debati mes pasagjeres dhe gruas, shoferi njoftoi policinë. Oficerët, sapo mbërritën, konstatuan se këlyshët ndodheshin në gjendje të rëndë dhe me rrezik asfiksie, pasi ishin futur në një qese plastike brenda karrocës.

Gruaja me shtetësi rumune u denoncua për keqtrajtim të rënduar të kafshëve.

Pas ndërhyrjes, policët siguruan menjëherë ushqim dhe ujë për këlyshët, duke i dërguar më pas në një qendër të specializuar për kujdes dhe adoptim. Njëri prej tyre tashmë ka gjetur një shtëpi të re, duke u “adoptuar” nga vetë punonjësit e komisariatit të Monteverde.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›