E Hënë, 2 Nëntor 2026

RTSH merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme dhe Konferencën e COPEAM

Në Maltë u zhvillua Konferenca e 32-të e COPEAM-it, rrjetit të transmetuesve publikë të 26 vendeve të Mesdheut.

Në këtë takim mori pjesë edhe delegacioni i Radio Televizionit Shqiptar, që është pjesë e kësaj strukture të rëndësishme, përfaqësuar nga drejtuesja e RTSH-së, znj. Aurora Polo.

COPEAM është një rrjet bashkëpunimi i përkushtuar për promovimin e dialogut dhe integrimin kulturor në Mesdhe.

Këtë vit, më shumë se kurrë, për shkak të dinamikave të forta gjeopolitike, takimi i Maltës u pa si një mjet i fuqishëm për të bashkuar popujt, duke krijuar ura që lidhin diversitetin e tyre.

Media audiovizive dhe roli i saj në forcimin e marrëdhënieve kulturore të qëndrueshme mes vendeve të Mesdheut ishte një nga temat e takimit me fokus kapërcimin e ndarjeve mes popujve.

Konferenca e nivelit të gjerë të përfaqësimit u përshëndet nga Ministri i Kulturës i Maltës, si një vend anëtar i BE-së dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i COPEAM, Claudio Cappon.

Gjatë Asamblesë, drejtuesja e RTSH-së, znj. Polo u takua me znj. Simona Martorelli, drejtoreshën e Marrëdhënieve me Jashtë në Radio Televizionin Italian (RAI), me të cilën bisedoi për bashkëpunimin mes dy medieve publike shqiptare dhe italiane, si dhe mundësitë e rritjes së këtij realiteti në të ardhmen mes dy vendeve me një histori të gjatë bashkëpunimesh të suksesshme.

Asambleja e 31-të e COPEAM zhvilloi një rend diskutimesh me produktivitet, të cilat shërbejnë për të rritur rolin e medieve audiovizive në shkëmbimet kulturore, që sfidojnë tendosjet globale.

Takimi u zhvillua në Maltë, si një nga destinacionet gjeografike më domethënëse të Mesdheut, si vend i kryqëzimit të kulturave dhe historisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›