E Hënë, 2 Nëntor 2026

Masat për 11 majin dhe hetimi i krimeve zgjedhore, kreu i OSBE/ODIHR takon Çelën e Dumanin

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, priti në një takim ditën e sotme, kreun e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të OSBE/ODHIR, Ambasadorin Lamberto Zannier.

Objekt i takimit, ishte njohja e përfaqësuesve të Misionit me masat e marra nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, si dhe mundësitë e mbështetjes së punës së Misionit nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, në të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, janë ngritur seksione të posaçme të përkohshme, me në krye drejtuesit e prokurorive, të cilat do të mbështeten edhe nga Policia e Shtetit me oficerë të policisë gjyqësore si dhe nga një forcë operacionale.

Gjithashtu, në bazë të marrëveshjeve të lidhura, puna do të koordinohet me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Posaçme, në drejtim të komunikimit të shpejtë të raportimeve mbi veprat penale, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit efikas të hetimeve.

Më pas, delegacioni vizitoi SPAK, ku kryeprokurori Altin Dumani i shpjegoi strategjinë e posaçme të ngritur për hetimet zgjedhore. Në këtë kuadër, janë krijuar seksione speciale në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe janë angazhuar forca operacionale për mbështetje. Takimet janë pjesë e angazhimit për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›