E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anija “Art Explora” një arenë artistike – Për 12 ditë, porti i Durrësit do të dhurojë spektakël për qytetarët

Në portin e Durrësit hapi dyert për vizitorët anija “Art Explora”, e cila për 12 ditë me radhë do të jetë një arenë artistike me larmi aktivitetesh.

Kjo është anija e parë muze që vjen në vendin tonë dhe Durrësi është përzgjedhur si një nga 15 ndalesat gjatë turit të saj botëror në porte të ndryshme.

Gjatë mesditës, anija në fjalë u vizitua edhe nga kryeministri Edi Rama, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ambasadës Franceze në Tiranë si dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Kostandin Feshti, zëdhënës i festivalit thotë se për 12 ditë me radhë porti i Durrësit do të shndërrohet në një arenë artistike e hapur dhe falas për të gjitha moshat.

“Nga datë 10 prill deri më 21 porti do të rikthehet në një arenë artistike e cila mirëpret njerëzit. Është falas dhe i fton qytetarët të bëhen pjesë qoftë të ambientit që ka shumë hapësira të vogla, pavione të cilat kanë lezetin e tyre dhe mund të shijohen në çfarë do lloj momenti”, tha Feshti.

Vizitorët mund të shohin ekspozita digjitale dhe pavione të vecanta të kuruara për çdo moshë, programe dhe workshope me artistë të ndryshëm. Kuratorja e festivalit Arnisa Zeqo ka një mesazh për të gjithë vizitorët:

“Ejani në portin e Durrësit, të vizitoni ekspozita, performancat”, tha Zeqo.

Anija “Art Explora” është akorduar në kalatën zero të portit, ku autoritetet kanë marrë masa për hyrjen dhe daljen e vizitorëve që do të vijnë për të ndjekur ngjarjet artistike të llojeve të ndryshme, si edhe koncerteve nga këngëtarë shqiptarë dhe grupe të huaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›