RUMANI – Gjashtë të arrestuar me dyshimin për grusht shteti dhe lidhje me Rusinë

BUDAPEST, 6 mars /ATSH-DPA/ – Gjashtë persona të dyshuar për lidhje me Rusinë janë arrestuar në Rumani nën akuzën se po planifikonin një grusht shteti, sipas një deklarate nga Njësia Kundër Krimit të Organizuar të prokurorisë publike rumune.
Sipas deklaratës, të dyshuarit thuhet se kanë pasur kontakte të shumta me “agjentë të fuqive të huaja, si në territorin rumun ashtu edhe në atë rus”.
Mediet rumune raportuan se një nga të arrestuarit është një ish-gjeneral 101-vjeçar në pension, i cili ka përhapur vazhdimisht propagandë antisemite në media.
Agjencia ka kërkuar paraburgim për katër nga të dyshuarit dhe arrest shtëpiak për dy të tjerët.
Një gjykatës pritet të vendosë sot për këtë.
Prokuroria e përgjithshme i akuzon të arrestuarit për tradhti dhe për krijimin e një grupi kriminal, të cilin ajo thotë se ka planifikuar “të dëmtojë sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit rumun duke dëmtuar aftësitë mbrojtëse të vendit” që nga viti 2023.
”Qëllimi i të dyshuarve ishte ta nxirrnin Rumaninë jashtë NATO-s, të eliminonin rendin aktual kushtetues dhe partitë politike dhe të merrnin qeverisjen e vendit”, thuhet në deklaratë.
”Dy nga të dyshuarit udhëtuan për në Moskë në janar, ku takuan njerëz që ishin të gatshëm për të mbështetur grupin në marrjen e pushtetit”, tha prokuroria e përgjithshme.
Sipas agjencisë rumune të shërbimeve sekrete, SRI, të dyshuarit planifikonin gjithashtu të krijonin një grup paraushtarak me qëllim destabilizimin e rendit kushtetues në Rumani.
”Anëtarët e grupit kishin kërkuar në mënyrë aktive mbështetje nga oficerët e ambasadës së Federatës Ruse në Bukuresht”, tha SRI në një deklaratë./ /i.s/