E Martë, 3 Nëntor 2026

RUMANI – Kryeministri socialdemokrat Ciolacu jep dorëheqjen

BUKURESHT, 5 maj /ATSH-ANSA/ – Një ditë pas suksesit të kandidatit të ekstremit të djathtë, George Simion në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kryeministri rumun Marcel Ciolacu, kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), ka njoftuar dorëheqjen e tij, të cilën do ta formalizojë në mbrëmje.

Duke folur pas një seance të bordit të partisë, Ciolacu tha se koalicioni aktual qeveritar, me liberalët dhe pakicën hungareze, nuk ka më legjitimitet, pas humbjes së kandidatit qeveritar Crin Antonescu në votimin e djeshëm.

”Ky koalicion nuk është më legjitim, pasi dështoi të sillte kandidatin e tij në raundin e dytë”, tha Ciolacu.

“Sidoqoftë, unë do të isha shkarkuar nga presidenti i ardhshëm. Është më mirë për mua të jap dorëheqjen tani, përpara se ta bëjë ai”, shtoi kryeministri rumun Ciolacu, siç raportohet nga Digi24.

Ai gjithashtu specifikoi se ministrat e PSD-së do të diskutojnë me përfaqësuesit e Partisë Liberale (PNL) dhe UDMR (minoritetit hungarez) – aleatët e koalicionit – nëse do të mbeten apo jo si ministra të përkohshëm në qeveri.

I pyetur për koalicione të mundshme në të ardhmen, Ciolacu u përgjigj se “për sa kohë që unë jam president i PSD-së, nuk do të ketë një qeveri PSD-AUR”.

Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR) është formacioni i ekstremit të djathtë i udhëhequr nga George Simion./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›