E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Flamuri shqiptar ishte në gjysmështizë, ne e kthyem në flamurin e identitetit evropian

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, tha sot se që të rreshtohen në një vijë yjet e fatit të Shqipërisë me ato të fatit evropian, duhet që shqiptarët në 11 maj të votojnë për numrin 5 në fletën e votimit, në mënyrë që të mos u mbetet shqiptarëve faji për moskapjen e afatit të mbylljes së negociatave brenda vitit 2027.

Nga takimi elektoral përmbyllës në Korçë, “Drejt finishit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Rama tha se është e rëndësishme që përmes votës masive, vendi ynë të ketë fuqinë që të bëjë të njëjtat rregulla, vendime, masa dhe ligje që duhet të zbatohen në Bruksel edhe këtu, dhe jo të mbetet në dorë të Ilir Vrenozit dhe të “kënetës”.

“Dhe të lëmë pas të gjithë këta dhe për këtë arsye na duhet një fuqi më e madhe vendimmarrëse, na duhet një fuqi të mos detyrohemi të ulim kokën atje si të pafuqishëm për të gjitha angazhimet që marrim në atë arenë. A e kuptoni çfarë transformimi i kemi bërë Shqipërisë? Ky flamur që ne sot e tundim me krenari në këtë shesh dhe që e kemi tundur gjithmonë me krenari, ka qenë në gjysmështizë jashtë kufijve të Shqipërisë, sepse nuk e respektonte askush. Ne e morëm këtë flamur dhe e kemi ngjitur në të gjitha shkallët ku Shqipëria është thirrur dhe e kemi vendosur me dinjitet dhe e kemi kthyer jo vetëm në flamurin e identitetit tonë kombëtar, por edhe në flamurin e identitetit tonë evropian”, tha Kryeministri.

Rama tha se “tani është koha për ta marrë dhe për ta vendosur përfundimisht flamurin në oborrin e shtëpisë së përbashkët evropiane”.

Sipas Ramës, “ne kur lexojmë historinë na duket sikur ata që kanë bërë historinë kanë qenë njerëz të rënë nga qielli, kanë qenë njerëz me formë fantazmagorike, kanë qenë njerëz që fluturonin nëpër re”.

“Jo, kanë qenë si ne! Dhe kanë bërë histori dhe prandaj koha i ka lartësuar. Na është dhënë ne mundësia që të bëjmë histori, na është dhënë ne siç iu dha shqiptarëve në mars të ’92-shit mundësia të shkojnë në takim me historinë dhe të vendosnin çfarë të bënin do vazhdonin me të shkuarën, do linin një paqartësi mes të shkuarës dhe të nesërmes apo do ta ndanin përfundimisht atë që iku nga Evropa që po vinte. Dhe shqiptarët e bënë masivisht, dhe PD në atë kohë mori shumë më tepër vota se sa çfarë kishte mbështetës të PD. Disa muaj më vonë mbeti prapë në pakicë, ama në atë moment shqiptarët nuk mund të votonin asgjë tjetër, ose në rastin më të keq të bënin atë që bëra unë, të mos votonin fare. Unë nuk mund të votoja “bufin”, se ia kisha ndjerë erën që në minutën e parë që e pashë, por nuk mund të votoja as dikë tjetër’, pohoi Rama.

Kryeministri nënvizoi faktin se kush nuk shkon të votojë në 11 maj, pranon që t’i hapë rrugë opsionit më të fortë. Sipas tij, demokratët nëse e kanë të pamundur të votojnë për PS dhe të bashkohen te numri 5, nëse e kanë të pamundur se kanë sqimë të madhe, të rrinë në shtëpi.

“Por, jo të vishen, të lahen, të krihen dhe të shkojnë të veshur si në dasmë për të mbajtur radhë e të hidhen bashkë me votën në “kënetë”. Të tjerët duhet të na bashkohen ne, kjo është historia që na ka ardhur në dorë, është fati evropian që ne mund ta përmbushim me duart tona”, tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›