E Diel, 1 Nëntor 2026

RUSI – Dmitriev në Uashington, ndërsa SHBA pritet të rikthejë sanksionet për naftën ruse

MOSKË, 10 prill /ATSH-DPA/ – I dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedime, pak përpara skadimit të një lehtësimi të përkohshëm të sanksioneve amerikane ndaj naftës ruse.

“Kirill Dmitriev drejton një grup për çështjet ekonomike dhe ai po vazhdon punën brenda këtij grupi”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore ruse TASS.

Sipas Peskovit, Dmitriev nuk po zhvillon bisedime për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe vizita e tij nuk nënkupton rifillimin e negociatave.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Moskës për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, i cili tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Megjithatë, pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të naftës si pasojë e luftës në Iran, Uashingtoni lejoi përkohësisht shitjen e naftës ruse që ndodhej tashmë në bord të anijeve.

Ky përjashtim pritet të mbetet në fuqi deri të shtunën.

Pavarësisht përpjekjeve amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, paqja ende nuk duket në horizont. Së fundmi, Moska dhe Kievi zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Zvicër, me ndërmjetësimin e Uashingtonit.

Lufta në Iran ka shtyrë një raund të ri negociatash.

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli dje një armëpushim që zgjat pak më shumë se një ditë e gjysmë për festën e Pashkëve Ortodokse, nga e shtuna pasdite deri të dielën në mbrëmje./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›