SOFT NEWS – “Deep Purple” emocionon kryeministren japoneze Takaichi

TOKIO, 10 prill /ATSH/ – Grupi legjendar britanik i rock-ut “Deep Purple” i dhuroi një moment të veçantë kryeministres japoneze, Sanae Takaichi gjatë një vizite të shkurtër sot, teksa u rikthyen në vendin ku kishin performuar për herë të parë më shumë se gjysmë shekulli më parë, sipas Reuters.
Takaichi njihet si një adhuruese e muzikës hard rock dhe heavy metal si dhe si bateriste amatore.
Ajo ka përmendur shpesh “Deep Purple” si një nga grupet e saj të preferuara, krahas “Black Sabbath” dhe “Iron Maiden”.
“Ju jeni perëndia ime”, i tha Takaichi e emocionuar në anglisht bateristit Ian Paice, duke i dhuruar një palë shkopinj baterie të prodhuar në Japoni, të firmosuar prej saj.
Pas një sesioni të shkurtër fotografish me vokalistin Ian Gillan dhe anëtarët e tjerë, ajo tregoi se kishte blerë albumin “Machine Head” që në shkollë fillore, i cili përfshin disa nga hitet më të mëdha të grupit, si “Smoke on the Water” dhe “Highway Star”.
Vizita e grupit ishte një moment i mirëpritur relaksi për kryeministren e parë të Japonisë, e cila premtoi të “punojë, punojë, punojë” kur mori detyrën në tetorin e kaluar.
Që atëherë, Takaichi është përballur me tensione diplomatike me Kinën, presione ekonomike nga dobësimi i jenit dhe rritja e çmimeve, si dhe me kërcënimin e një krize energjetike për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Kam respektin më të thellë për mënyrën se si vazhdoni të shkruani historinë e rock-ut, duke përqafuar sfida të reja dhe duke krijuar muzikë tërheqëse edhe sot,” u shpreh ajo përmes një përkthyesi.
Lidhjet e grupit me Japoninë janë të hershme dhe të forta.
Albumi “Made in Japan”, i regjistruar gjatë turneut të parë të ”Deep Purple” në Japoni, në vitin 1972, forcoi reputacionin e tyre si një nga grupet më të fuqishme në performancat live.
Grupi nis nesër turneun e tij në Japoni për vitin 2026 të me një koncert në sallën e njohur “Nippon Budokan” në Tokio./ /Ad.Ab./ a.jor.