BERLIN – Pistorius paralajmëron për rrezikun e lëshimeve territoriale nga Ukraina

BERLIN, 26 nëntor /ATSH-DPA/- Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka paralajmëruar për rrezikun e lëshimeve të detyruara territoriale të njëanshme nga Ukraina, në negociatat e vazhdueshme të paqes.
“Ukraina duhet të jetë gjithashtu në gjendje të mbrojë veten në të ardhmen”, tha sot Pistorius në Bundestag gjatë një debati mbi buxhetin e mbrojtjes.
“Kjo kërkon një forcë të armatosur dhe garanci sigurie të forta dhe të besueshme, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
“Asgjë që ndikon në të ardhmen e shteteve evropiane, NATO-s ose BE-së nuk duhet të negociohet”, shtoi ai.
“Me fjalë të tjera, ne vendosim vetë për të ardhmen tonë. Dhe nuk duhet të ketë paqe të rreme për Ukrainën. Nuk duhet të ketë paqe dorëzimi”, tha Pistorius.
“Rrjedha e negociatave deri më tani e bën të qartë se tabela gjeopolitike e shahut – modeli, rregullimi dhe aleancat – po ndryshon me shpejtësi”, theksoi ai.
“Gjermania duhet ta ripërcaktojë rolin e saj në BE dhe NATO, pasi nuk e dimë se cilave aleanca mund t’u besojmë në të ardhmen dhe cilat do të zgjasin”, tha ai.
Ai përsëriti se forcimi i ushtrisë dhe rritja e ndjeshme e shpenzimeve të mbrojtjes ishin të nevojshme.
Projektbuxheti parashikon që shpenzimet e mbrojtjes të rriten në 108,2 miliardë euro vitin e ardhshëm, niveli më i lartë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Në vitin aktual, 62,43 miliardë euro do të ndahen për buxhetin e rregullt të mbrojtjes dhe 24,06 miliardë euro nga i ashtuquajturi fond special i Bundeswehr-it. //a.i/