E Diel, 1 Nëntor 2026

RUSI – Moska: Në marrëveshjen BE-Ukrainë mbizotërojnë ligji dhe arsyeja e shëndoshë

MOSKË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/- Rusia ka reaguar pozitivisht ndaj kompromisit të arritur dje nga shtetet anëtare të BE-së për financimin e Ukrainës.

Në një samit dje në Bruksel, blloku vendosi kundër përdorimit të menjëhershëm të aseteve të ngrira ruse në Belgjikë, për të financuar një kredi për Kievin.

“Ligji dhe arsyeja e shëndoshë kanë mbizotëruar për momentin”, shkroi dje kryenegociatori rus Kirill Dmitriev në “Telegram”.

Ai e përshkroi vendimin e marrë në Bruksel si një “goditje fatale” ndaj atyre që ai i quajti “nxitës të luftës”, duke përmendur presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.

“Disa zëra të arsyes brenda BE-së deri më tani kanë penguar përdorimin e paligjshëm të rezervave ruse për të financuar Ukrainën”, shkroi Dmitriev.

Rusia ka paralajmëruar vazhdimisht për atë që e ka përshkruar si “vjedhje” të aseteve të saj shtetërore dhe ka kërcënuar të përgjigjet duke përdorur fondet perëndimore – veçanërisht ato që u përkasin investitorëve dhe kompanive private – për qëllimet e veta.

“E gjithë bota sapo pa që dështove të detyrosh të tjerët të shkelin ligjin”, tha Dritriev.

Pas disa muajsh mosmarrëveshjesh, shtetet anëtare të BE-së ranë dakord dje për një kompromis për të financuar Ukrainën për dy vitet e ardhshme.

Sipas marrëveshjes, Ukraina do të marrë një kredi pa interes prej 90 miliardë eurosh.

Nëse Rusia nuk paguan kompensim për dëmet e luftës, asetet e ngrira ruse në BE do të përdoren për të shlyer kredinë.

Merz, fillimisht kishte kërkuar të përdoreshin fondet e bankës qendrore ruse – të ngrira kryesisht në Belgjikë – për të ofruar kredi deri në 210 miliardë euro.

Plani dështoi për shkak të kundërshtimit nga vende si Franca dhe Italia – pasi Belgjika në veçanti – ngriti shqetësime të mëdha ligjore dhe politike. //a,i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›