RUSI – Moska: Trump të shqyrtojë me maturi furnizimin e mundshëm të raketave “Tomahawk

MOSKË, 8 tetor /ATSH/- Rusia do të rrëzojë raketat “Tomahawk” dhe do të bombardojë vendet e lëshimit të tyre nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosin te furnizojnë Ukrainën dhe gjithashtu Moska do të gjente një mënyrë për t’u hakmarrë ndaj Uashingtonit, tha sot një ligjvënës i lartë rus, sipas “Reuters”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se dëshironte të dinte se çfarë kishte planifikuar të bënte Ukraina me raketat “Tomahawk” – përpara se ai të miratonte furnizimin e tyre, pasi ai nuk kishte qëllim të përshkallëzonte luftën midis Rusisë dhe Ukrainës.
Megjithatë, ai tha se “kishte marrë një vendim” për këtë çështje.
“Përgjigja jonë do të jetë e ashpër, e matur dhe asimetrike. Ne do të gjejmë mënyra për të dëmtuar ata që na shkaktojnë probleme”, tha për agjencinë shtetërore të lajmeve RIA, Andrei Kartapolov, kreu i Komitetit të Mbrojtjes së parlamentit rus.
Kartapolov, një ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, tha se nuk mendonte se raketat “Tomahawk” do të ndryshonin ndonjë gjë në fushën e betejës edhe nëse do t’i furnizoheshin Ukrainës, pasi ato mund të jepeshin vetëm në një sasi të kufizuar – në dhjetëra dhe jo qindra.
“Ne i njohim shumë mirë këto raketa, si fluturojnë dhe se si t’i rrëzojmë. Ne punuam me to në Siri, kështu që nuk ka asgjë të re. Probleme do të kenë ata që i furnizojnë dhe ata që i përdorin”, tha ai.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov i kërkoi Uashingtonit të shqyrtonte me maturi situatën rreth furnizimit të mundshëm të raketave “Tomahawk”.
Ai tha se çdo vendim i tillë do të ishte një hap serioz përshkallëzues – që do të sillte një ndryshim “cilësor” në situatë. //a.i/