RUSI – Putin: Plani i SHBA-së për Ukrainën, bazë për marrëveshje të ardhshme

MOSKË, 27 nëntor /ATSH/- Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot se skicat e draftplanit të paqes – të diskutuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina mund të bëhen baza e marrëveshjeve të ardhshme – për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, por nëse jo, atëherë Rusia do të vazhdojë të luftojë, sipas “Reuters”.
“Në përgjithësi, ne jemi dakord që kjo mund të jetë baza për marrëveshjet e ardhshme”, tha presidenti rus Putin, duke shtuar se varianti i planit të diskutuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina, në Gjenevë i ishte dërguar Rusisë.
Putini tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin marrë në konsideratë qëndrimin e Rusisë, ndërsa shtoi se disa pika ende duhej të diskutoheshin.
Presidenti rus tha se nëse Evropa kërkonte një premtim për të mos e sulmuar atë, atëherë Rusia ishte e gatshme të dokumentonte me shkrim një premtim të tillë.
“Rusisë, ende i thuhet se duhet të ndalojë luftimet”, tha Putin.
“Trupat ukrainase duhet të tërhiqen nga territoret që mbajnë – dhe pastaj luftimet do të ndalen. Nëse ata nuk largohen, atëherë ne do ta arrijmë këtë me mjete të armatosura. Forcat ruse, po avancojnë në Ukrainë me një ritëm të shpejtë”, tha ai.
Putini tha se e konsideronte udhëheqjen ukrainase si të paligjshme dhe për këtë arsye ishte ligjërisht e pamundur të nënshkruhej një marrëveshje me Ukrainën.
“Prandaj është e rëndësishme të sigurohet që çdo marrëveshje të njihet nga unioni ndërkombëtar – dhe që unioni ndërkombëtar të njohë territoret e pushtuara ruse në Ukrainë”, tha presidenti rus. //a.i/