E Enjte, 5 Nëntor 2026

RUSI – Putini urdhëron ushtrinë të mposhtë forcat ukrainase në rajonin e Kurskut

MOSKË, 13 mars /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin, i veshur me rroba ushtarake, urdhëroi ushtrinë të mposhtë forcat ukrainase në Rusinë perëndimore, ndërsa SHBA-ja dhe Rusia përgatiten të diskutojnë propozimin për armëpushim, sipas “Reuters”.

Avancimet e Rusisë përgjatë frontit në muajt e fundit dhe përpjekja e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të arritur një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund konfliktit tre-vjeçar në Ukrainë, kanë rritur shqetësimet se Kievi, i cili mbështetej nga Perëndimi, mund ta humbiste luftën.

I dërguari special i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, mbërriti sot në Moskë për t’u takuar me Putinin.

Zyrtarët rusë thanë se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Mike Waltz, kishte dhënë detaje mbi idenë e armëpushimit dhe se Rusia ishte gati për ta diskutuar atë.

Trump tha dje në Shtëpinë e Bardhë se shpresonte se Kremlini do të pajtohej me propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor – të cilin Ukraina tha se do ta mbështeste.

Vetëm disa orë pas deklaratës së Trump, Kremlini publikoi pamjet e Putinit të veshur me një uniformë kamuflazhi jeshil duke vizituar rajonin e Kurskut, në Rusinë perëndimore, ku Ukraina pritet të humbasë terrenin e saj pas një ofensive të rrufeshme nga forcat ruse.

“Detyra jonë në të ardhmen e afërt, në afatin më të shkurtër të mundshëm, është të mposhtim me vendosmëri armikun e vendosur në rajonin e Kurskut”, tha Putini, një ish-oficer i KGB-së që shumë rrallë vesh uniformë ushtarake.

“Dhe sigurisht, ne duhet të mendojmë për krijimin e një zone sigurie përgjatë kufirit shtetëror”, tha ai. Putini nuk e përmendi idenë e armëpushimit.

Pushtimi rus i Ukrainës në fillim të vitit 2022 ka shkaktuar qindra mijëra të vdekur dhe të plagosur, zhvendosur miliona njerëz, ka shkatërruar qytetet në gërmadha dhe ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Moskës dhe Perëndimit në gjashtë dekada.

Në një përpjekje për të devijuar forcat ruse nga Ukraina lindore, dhe për të vënë në siklet Putinin, Ukraina avancoi përtej kufirit në rajonin e Kurskut në një inkursion në gusht, sulmi më i madh në territorin rus që nga pushtimi nazist i vitit 1941. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›