E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ra Republika e Thaçit, mbetet Republika e Bushit

NEXHMDIN SPAHIU

Kosova me fusnotë e pa emrin Republikë do të përfaqësohet në nismat rajonale e ndërkombëtare. Ky është rezultat i kompromisit në dialogun me Beogradin. Kjo nuk do të dukej aq tragjike sikur shpallja e pavarësisë të mos ish bërë me aq pompozitet.  Vetëm për kremtime në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe kremtimet e katër përvjetorëve të kësaj date u shpenzuan miliona euro të buxhetit të varfër të Kosovës.
Për këto katër vite u nxitua që të shtypen edhe tekste të reja shkollore për lëndën e Historisë në shkolla fillore e të mesme, ku u shtua edhe leksioni për Hasim Thaçin, si personaliteti që shpalli pavarësinë e Kosovës.
Vallë, a do të shtohet në këto tekste shkollore të historisë edhe leksioni se si i njëjti Hashim Thaçi u detyrua të bëjë kompromis me emrin Republikë?!
Ja se çfarë pata shkruar në gazetën Epoka e re (11.02.2008):
Një milion euro më mirë për Veriun e Kosovës, sesa për festën e Pavarësisë
-Banorët shqiptarë të Veriut të Kosovës presin shpalljen e pavarësisë së Kosovës me shqetësim e ankth, por edhe me shpresën e ndrydhur se ndoshta më në fund do të bëhet mirë.
-10 qershori është datë më e rëndësishme për Kosovën se 17 apo 18 shkurti. Sepse më 10 qershor, Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, deklaroi se Kosova do të jetë e pavarur.
Mos ki frikë, komshi, asgjë nuk do tju ndodhë më 17 shkurt. Do të jetoni më mirë se sa në pjesën jugore. Këto ishin fjalët që një banor serb i Veriut të Mitrovicës po i drejtonte fqinjit të vet shqiptar nga Kodra e Minatorëve.
Në kohën kur pjesa më e madhe e Kosovës po i vë shënjestrën qengjit, deles, viçit apo të paktën pulës për ta bërë kurban festiv për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, banorët shqiptarë të Veriut të Kosovës presin me shqetësim e ankth, por edhe me shpresën e ndrydhur se ndoshta më në fund do të bëhet mirë. Por, sado e madhe të jetë kjo shpresë, frika e përsëritjes së shkurtit të vitit 2000, ku MUP-ovcat serbë vranë 14 shqiptarë, turq e boshnjakë dhe ku u plagosën disa dhjetëra të tjerë, i bënë që gjëja e fundit që u bien ndër mend të jetë festimi i shpalljes së pavarësisë. Shqetësimi i tyre është se si ti largojnë fëmijët e gjërat me vlerë në Jug dhe atë jo në Jug të Mitrovicës, po sa më thellë, te të afërmit në Drenicë, Dukagjin, Prishtinë apo Novi Pazar e Senicë. Dhe shih ironinë: në vend se të shpenzojë buxhet për tua larguar frikën qytetarëve të vet (me bazë apo bazë, por që është prezente), shteti që po lind ndau një milion euro për të festuar.
Pse duhet festuar lindja e shtetit-foshnjë?
A nuk do të ishte më e arsyeshme që vëmendja të përqendrohet që kjo foshnje-shtet të lindë i shëndetshëm e i mbarë dhe të festohet vetëm atëherë kur të mbushen përvjetorët që ky shtet të jetë njohur nga OKB-ja.
Kur jemi te dita që duhet të festohet si ditë kombëtare e Kosovës apo si ditë e pavarësisë së saj, atëherë sigurisht që kjo ditë duhet të jetë 10 qershori, dhe jo dita kur do ta bëjë shpalljen Parlamenti i Kosovës.
Përse 10 qershori është datë më e rëndësishme për Kosovën se 17 apo 18 shkurti, kur po pritet të shpallet pavarësia e Kosovës? Sepse më 10 qershor, Presidenti amerikan, xhorxh Bush, deklaroi se Kosova do të jetë e pavarur. Prej këtij momenti dita kur Kosova do të njihej nga SHBA si e pavarur ishte çështje teknike e gjetjes së oportunitetit politik për këtë akt. Plus që 10 qershori është ditë historike për Kosovën, si ditë e Lidhjes së Prizrenit (1878) dhe ditë kur Serbia kapitulloi në Kosovë (1999).
Rëndësia e deklaratës së Bushit e 10 qershorit 2007 nuk e humb krejtësisht rëndësinë e ditës kur Parlamenti i Kosovës do ta shpallë pavarësinë e Kosovës. Por, sado e rëndësishme të jetë kjo datë, nuk ka asnjë arsye për tu festuar tani. Një milion euro për manifestime festive do të ishte më e ndershme tu jepen banorëve shqiptarë të Veriut të Mitrovicës, që tu rindërtohen shtëpitë e rrënuara dhe të investohet në sigurinë e tyre. Në të kundërtën, investimi për të festuar në ditën kur shpallet pavarësia e Kosovës e bënë atë ti ngjajë një feste boshe si ajo kur PSSP Michael Steiner shpalli bashkimin e Mitrovicës.
Kjo ishte ajo çfarë pata shkruar një javë para se të shpallej pavarësia e Kosovës.
Për ne që shqetësimi për të ardhmen e Kosovës nuk na lejonte të festonim më 17 shkurt 2008, kompromisi i arritur më 22.02.2012 nuk është edhe aq shqetësues. Ne që e dinim se Hashimi vetëm po recitonte një letër që dikush tjetër ia kishte hartuar dhe një tjetër ia kishte përkthyer, nuk është zhgënjyese që tani Hashimi i ha fjalët e veta.
Nuk është faji i ambasadorit Dell që qytetarët e Kosovës janë aq shumë të trishtuar këtyre ditëve. Ka qenë faji i ambasadores Tina Kaidanova që ka lejuar ekstazën e kosovarëve më 17 shkurt 2008. Pra që ka lejuar që kosovarët të bëjnë hop pa e kapërcyer gardhin.
Por Kosova një ditë do ta kapërcejë gardhin. Premtimi i Xhorxh Bushit në Tiranë se Kosova një ditë do të jetë e pavarur, do të bëhet realitet, sepse është një projekt serioz. Gëzimi i 17 shkurtit 2008 u shndërrua në pikëllim më 22 shkurt 2012. Por ata që festuan më 10 qershor 2007, ata që e kuptojnë se një komb i ri po ndërtohet hap pas hapi dhe se ky komb po e forcon shtetin e vet çdo ditë e më shumë, do të festojnë çdo vit dhe atë secilin vit më shumë se në vitin paraprak. Rroftë 10 qershori, dita kombëtare e Kosovës!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›